Papunësia qenka rritur që prej vitit 2010

14 Nëntor 2012, 17:44Blog TEMA
Papunësia qenka rritur që prej vitit 2010

Nga Ilir Beqja

Kriza ekonomike e ka rritur shkallën e papunësisë duke prekur më shumë të rinjtë dhe gratë. Për vitin 2010, shkalla e papunësisë është 14,2 %, për gratë është 15,9 %, ndërsa për të rinjtë nën 30 vjeç është 22,5 %.

Instituti i Statistikave publikoi rezultatet paraprake të Anketës së Tregut të Punës për vitin 2010. Janë të dhëna të mbledhura në periudhën shtator – tetor 2010. Koha e gjatë nga mbledhja e të dhënave deri në publikimin e rezultateve e bën praktikisht të pavlefshëm në procesin e vendimmarrjes, përveçse mund t’i shërbejë historianëve të korrigjojnë seritë kohore të informacioneve që disponojnë. Sidoqoftë, duke qenë se viti 2010 ka një rritje ekonomike shumë më të vogël se mesatarja e periudhës 2000- 2009 është me interes të shihet pasoja në punësim/papunësi.

Sipas standardeve të zbatimit të kësaj ankete, i punësuar është kushdo që ka punuar qoftë një orë të vetme gjatë javës kur është bërë anketimi.

Edhe vetë publikimi është histori më vete, pasi fillimisht INSTAT deklaroi se publikimi ishte shtyrë për vitin 2013, por, çuditërisht, vendosi të bëjë publikimin. Gjykojeni vetë se me çfarë voluntarizmi dhe mungese profesionalizimi drejtohet agjencia qeveritare e statistikave shtetërore.

Leximi i shpejtë rezultateve paraprake na tregon se shkalla e papunësisë në vitin 2010 qenka 14,2 %. Mundet që kjo shkallë papunësie të jetë vërejtur në periudhën shtator– tetor 2010. Është hera e parë që ndeshemi me një shkallë papunësie mbi 14 %. Në asnjë nga publikimet periodike tremujore që prej mesit të vitit 2006, INSTAT nuk ka deklaruar shkallë papunësie mbi 14 %.

Ecuria e shkallës së papunësisë në periudhën 2007 – 2010 ilustrohet në grafikun 1.

Rritja e shkallës së papunësisë tregon se ngadalësimi deri në ngecje i rritjes ekonomike ka dhënë pasojat e veta negative në punësim.

Efekti është ndjerë edhe tek të papunët afatgjatë. Të tillë quhen ata që kanë më shumë se 1 vit që janë të papunë.

Sipas grafikut 2 duket se që prej vitit 2008 ka filluar një rritje e shkallës së papunësisë afatgjatë.

Një lexim i mëtejmë i atyre rezultateve paraprake të publikuara, tregon se papunësia është rritur si pasojë e rritjes së papunësisë së grave, pasi tek burrat shkalla e papunësisë është ulur. Rritja e papunësisë te gratë, përfshirë edhe atë afatgjatë, është aq e madhe sa shkalla e papunësisë për të gjithë është rritur.

Tabela 1 tregon ecurinë e shkalles se papunësisë edhe sipas gjinisë. Vërehet se ka një këmbim të pozicionit sipas gjinive. Është ulur shkalla e papunësisë tek burrat, por është rritur kjo shkallë tek gratë. Mesa duket barra e gjendjes së rënduar ekonomike paska rënë kryesisht mbi gratë.

E njëjta dukuri vërehet edhe tek shkalla e papunësisë afatgjatë. (Shih Tabelën 2)

Padyshim që duhen analiza të mëtejshme, por paralelisht me sa më sipër vihet re se shkalla e papunësisë është rritur më shumë te grupmosha deri në 30 vjeç.

Kriza ekonomike e ka rritur shkallën e papunësisë duke prekur më shumë të rinjtë dhe gratë. Për vitin 2010, shkalla e papunësisë është 14,2 %, për gratë është 15,9 %, ndërsa për të rinjtë nën 30 vjeç është 22,5 %.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje