Raimond Domenek mendon se Nikolas Anelka ishte personi që “vrau” kombëtaren e Francës e cila mori pjesë në Botërorin Afrikë 2010, në momentin kur ai e shau trajnerin e përfaqësueses. Në ngjarjen që u bë botërisht publike, lojtari e shau rëndë në pushim të ndeshjes me Meksikën, në fazën në grupe të aktivitetit, ndërsa më pas u përjashtua nga kombëtarja.
“Çuditërisht, isha më pak i shokuar nga fyerja sesa nga fakti që mu drejtua me “ti”, që theu barrierat e moshës dhe hierarkisë”, kujton 60 vjeçari në librin e tij “Tout Seul” (I vetëm). “Anelka kishte vrarë grupin”.
Ai gjithashtu akuzoi yllin e Bajern Mynih, Frank Riberi, se sillej keq me lojtarët e tjerë të skuadrës, sidomos ndaj Johan Gurkuf.
“Ai vazhdonte të mbante një sjellje prej VIP-i në grupin e lojtarëve. Me shumë qejf do ta kisha varur nga tavani. I thashë Gurkuf: “Të kam dhënë ty çelësat e skuadrës”. Por menjëherë pashë xhelozinë në sytë e Riberi. Është e sigurt që Riberi nuk e pëlqen Gurkuf. Një lojtar mes atyre që morën pjesë në Euro 2008 më kishte paralajmëruar për këtë sjellje të Frank Riberi”.
Domenek gjithashtu komentoi rreth Samir Nasri, të cilit kohët e fundit iu dha një pezullim nga Federata Franceze pasi fyeu publikisht një gazetar. “Nasri simbolizon llojin e lojtarit që flet pa u menduar”, ishte komenti i ish-trajnerit të përfaqësueses franceze.