Trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, ka deklaruar se ndonëse do të donte të kthente Kristiano Ronaldon te “djajtë e kuq”, ai mendon se aktualisht mesfushori i Real Madrid nuk mund të blihet.
Portugezi mendohet se është i pakënaqur me klubin e tij aktual dhe ka folur fjalët më të mira për Ferguson duke kujtuar me nostalgji kohën kur drejtohej nga skocezi. Nga ana tjetër, trajneri mendon se shifra e çmendur që duhet paguar për blerjen e Ronaldos e bën të pamundur transferimin e lojtarit që ka shënuar 165 gola në 162 ndeshje për skuadrën madrilene.
“Do të dëshiroja shumë të mendoja që kthimi është i mundshëm, por nuk mendoj se do të ndodhë kështu. Tani po flasim për shuma të pabesueshme parash. Cila mendoni se është vlera e tij aktuale? Padyshim që ai nuk mund të blihet! Kush mund ta përballojë blerjen e tij tani!?”, ishte komenti i skocezit.
“Për Realin ai i vlejti plotësisht çdo cent të shpenzuar dhe vetë lojtari gjithmonë dëshironte të luante për atë skuadër. Ajo ishte ëndrra e tij e fëmijërisë. Nuk po them se do të qëndrojë përgjithmonë aty, asnjëherë nuk i dihet. Nga e dini ju se nuk ekziston një klauzolë kontrate për riblerjen e tij?”, ishte batuta e Ferguson që më pas mbrojti lojtarin, të cilin e radhiti mes më të mirëve që kanë luajtur për Mançester Junajtid.
“Ai është një futbollist i pabesueshëm, një nga më të mirët. Ne kemi një panteon me lojtarë të mëdhenj dhe Ronaldo padyshim që krahasohet me cilindo prej tyre. Ndonëse ai kishte një talent natyral, ai ka arritur të punojë shumë me veten. Ai stërvitej e stërvitej pa pushim”, tregoi trajneri i Mançester Junajtid.