Ançeloti dhe Leonardo përfundojnë para disiplinës

17 Nëntor 2012, 11:41Sport TEMA

Karlo Ançeloti dhe Leonardo do të shfaqen para Komisionit të Disiplinës të Federatës Franceze të Futbollit. Të dy kanë bërë deklarata rreth gjyqtarit Klement Turpin dhe vendimit të tij të diskutueshëm për të ndëshkuar me karton të kuq Mamadu Sakho për ndërhyrjen ndaj Gaetan Sharbonie, vetëm 10 minuta pas fillimit të ndeshjes PSZH-Montpelje të përfunduar 1-1 në fundjavën e kaluar.

“Nuk është e mundur që të jesh i lumtur”, tha Leonardo për “Canal+” pas asaj ndeshje. “Është e pamundur gjithashtu të mos flasësh për gjyqtarin. Nëse pas 10 minutash ti luan me 10 lojtarë, kartoni i kuq është i vështirë për t’u shpjeguar e pranuar. Unë i pashë videot. Ne i kërkojmë lojtarëve tanë të tregohen profesionistë. Nuk kam asgjë kundër z. Turpin. Ai është 30 vjeç, është ende i ri, ka shumë për të mësuar. Por ai është gjithashtu ishte i njëjti gjyqtar që largoi me karton të kuq Ançelotin dhe Lavecin në Ajacio”, kujtoi Leonardo duke aluduar për një fushatë personale të gjyqtarit kundër ekipit të tij.

Ndërkohë, edhe Ançeloti është i detyruar të paraqitet para komisionit disiplinor në dhjetor për deklaratën që bëri pas ndeshjes, ku kërkoi “më shumë respekt” nga gjyqtarët.

Deklarata të tilla kanë sjellë reagime nga trajnerët e skuadrave të tjera, duke filluar nga Frederik Antoneti, trajner i Rëne, kundërshtari i radhës i PSZH në këtë fundjavë.

“Leonardo kërkon gjykim më të drejtë, por në çdo vendim për të cilin ai përmendi gjyqtarin, ky i fundit kishte patur të drejtë. Të gjithë duan gjykim të drejtë, por PSZH duket se kërkon diçka më shumë. PSZH është një klub italian që luan në Francë”, ishte akuza e tij në intervistën e dhënë për “L’Equipe”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje