Kasano-Konte, betejë mediatike

16 Nëntor 2012, 11:33Sport TEMA

Antonio Kasano dhe Antonio Konte kanë filluar një duel në distancë me njëri-tjetrin, duke mos kursyer batuta therëse dhe duke i hapur rrugë një beteje të mirëfilltë mediatike. Nëse Konte e kishte etiketuar pak ditë më parë një “llapazan” sulmuesin e Interit, e njëjta përgjigje ka ardhur nga Kasano që ka shtuar dozën e kritikave.

“Llafazan nuk jam unë, por ai që është skualifikuar për mosdenoncim të fakteve. Unë kam bërë shumë budallallëqe në karrierën time, për këtë edhe jam skualifikuar. Nëse ai vjen e më flet për moral mua, atëherë ky është fundi i botës”, ishte replika e ashpër e Kasanos.

Por reagimi i sulmuesit të Interit ka gjetur përgjigje brenda pak orësh, përsëri nga trajneri i Juventusit që ka dalë me një deklaratë publike në faqen e internetit të kampionëve të Italisë.

“Unë kërkoj te një lojtar përkushtim dhe respekt ndaj rregullave. Më duket se z. Kasano, në karrierën e tij brenda dhe jashtë fushe, ka treguar që nuk përmbush kërkesat e mia për një futbollist, mjafton të shohësh interpretimet e Kapelos apo gjestet e pahijshme ndaj gjyqtarëve. Anekdota të tilla i tregon edhe ai vetë në autobiografinë e tij, lexoni shembullin në faqen 109”, shkruhet mes të tjerash në deklaratën e Konte.

Faqja në fjalë e këtij libri tregon për periudhën kur Kasano gjendej te Reali dhe përveç faktit që ishte krejtësisht jashtë forme fizike dhe sportive, ai gjithashtu thyente në vazhdimësi rregullat duke marrë femra në hotelin e skuadrës gjatë grumbullimeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje