Sulmuesi i PSZH, Ezekuiel Laveci, ka pranuar se kishte miqësi me mafiozë gjatë periudhës kur luante për skuadrën e Napolit në Itali. Futbollisti 27 vjeçar e ka bërë të ditur një gjë të tillë duke folur si dëshmitar në gjyqin e Antonio La Ruso, babai i të cilit, Salvatore, ishte shefi i klanit mafioz La Ruso.
“E njoha si një tifoz i Napolit dhe në disa raste ai ka ardhur edhe në shtëpinë time”, tha futbollisti para trupit gjykues. “Nuk më duket diçka e çuditshme pasi në Argjentinë jemi mësuar të kemi miqësi me tifozët e ekipit. Kemi luajtur edhe Playstation bashkë, e më sa kujtoj unë, e kam parë edhe në stadium”, tregoi argjentinasi.
Futbollisti argjentinas më pas u pyet edhe rreth marrëdhënies së tij me një tjetër anëtar të këtij grupi mafioz, Marko Iorio, por ai konfirmoi se këtë të fundit e njihte në rrethana krejtësisht ndryshe pasi praktikisht e kishte patur si roje të objekteve me vlerë që zotëronte.
“Kur unë duhej të luaja në një qytet tjetër, për çështje sigurie, i jepja atij objektet me vlerë që kisha si orët e dorës”, tha Laveci, e dashura e të cilit u bë viktimë e grabitësve në rrugët e qytetit të Napolit një vit më parë.