Dëmtimet përgjysmojnë Holandë-Gjermani

13 Nëntor 2012, 12:28Sport TEMA

Takimi i shumëpritur mes Holandës dhe Gjermanisë, që nuk parashikohej si një miqësore normale, tani rrezikon të kthehet në një ndeshje zëvendësuesish pas problemeve me dëmtimet që kanë pësuar këto dy kombëtare.

Vendasve u mungojnë dy lojtarë të cilët në të kaluarën kanë përbërë forcën kryesore të ofensivës së “tulipanëve”, Robin Van Persi dhe Uesli Shnajder, pasi të dy janë lënë jashtë për shkak dëmtimesh.

Situata te Gjermania është edhe më e keqe, pasi kombëtarja e Lëv është e përgjysmuar në krahasim me atë që luajti një muaj më parë në eliminatoret e Botërorit 2014. Në radhët e gjermanëve për dëmtime mungojnë Toni Kros, Bastian Shvajnshtajger, Mario Gomez, Zherom Boateng, Mesut Ozil, Miroslav Klose, Marcel Shmelcer, Sami Khedira dhe Holger Badshtuber. Kjo situatë mjaft e rënduar me dëmtimet ka detyruar Lëv të nisë të dielën ftesa të minutës së fundit për Sebastian Jung dhe Sven Bender, ndërsa të hënën në darkë, në kombëtare u ftua edhe Luis Holtbi.

Megjithatë, menaxheri i kombëtares gjermane, Oliver Birhof, beson se kjo nuk do të jetë miqësorja tipike për shkak të rivalitetit të ndezur në vite mes dy kombëtareve.

“Po pres me padurim ndeshjen. Nuk do të ketë karakterin tipik të një miqësoreje, pasi rivaliteti është i një niveli shumë të lartë. Me siguri, holandezët do të kërkojnë të hakmerren ndaj nesh për humbjen në Evropian”, u kujtoi ai kundërshtarëve se si i kishin mundur në Euro 2012 duke i eliminuar që në grup.

Nga ana tjetër, Arjen Roben insiston se gjermanët janë ata që kanë trysni në këtë sfidë, për shkak të rezultatit të fundit. “Ata janë të dëshpëruar për të kthyer disi imazhin e tyre. Gjermania është nën trysni pas barazimit 4-4 me Suedinë dhe tifozët e tyre presin një rezultat pozitiv nga sfida me ne”, ishte komenti i mesfushorit holandez që aktivizohet në Gjermani me Bajern Mynih.

1 komente në “Dëmtimet përgjysmojnë Holandë-Gjermani”

  1. lionelmesi says:

    Totila, ku je or ti. A ke nonj koment or ti. Nuk me dukesh me gjak iberik apo katalunjas or ti. Duhet te jesh Dojc ose Holandez or ti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje