Xhanluixhi Bufon bëhet gati për ndeshjen miqësore me kombëtaren italiane të futbollit dhe asaj franceze, një sfidë që është kthyer në klasiken e futbollit evropian gjatë viteve të fundit ku këto dy kombëtare janë vënë shpesh përballë njëra-tjetrës.
“Franca mbetet një komb i fortë në futbollin evropian, një ekip që është gjithmonë në gjendje të luajë në nivelet më të larta. Të luash ndaj Francës është si të luash në derbi, ka gjithmonë një shije të veçantë që sjell kjo sfidë mes dy kombëtareve”, tregoi kapiteni i Italisë në një intervistë për “Le Parisien”.
Padyshim që pyetja e radhës për 34 vjeçarin ka qenë për PSZH, klubin që këtë vit ka thyer merkaton e klubeve të tjera duke blerë shumë futbollistë të mirë, për të ndërtuar një ekip cilësor. Por Bufon mendon se paratë mund të bëjnë një skuadër, por nuk mund të blejnë historinë dhe traditën e klubeve të mëdha evropiane.
“PSZH është një klub me fat, pasi ka shumë para. Por në futboll më të pasurit nuk janë ata që fitojnë gjithmonë. Disa klube kanë më pak para, por i shpenzojnë më mirë se ata që kanë shumë dhe historia e klubit në vetvete ka shumë rëndësi për statusin e tij”.
“Ndoshta pas 50 vitesh, njerëzit do të flasin më shumë për PSZH sesa për Barcelonën, Real Madrid apo Juventusin, por aktualisht kjo gjë është e pamundur”, deklaroi portieri italian./lajmeshqip