Uilfred Zaha është ylli i ri i futbollit anglez dhe pritet që shumë shpejt të jetë një nga emrat më të dëgjuar të kësaj përfaqësueseje. 20 vjeçari i Kristal Palas ka fituar ftesën e parë me kombëtaren e madhe nga trajneri Roi Hodgson dhe nuk ka ngurruar të deklarojë se e sheh veten mes më të mirëve në botë, ndonëse luan në kategorinë e dytë angleze.
“Për sa kohë që nuk jam duke parë Kristiano Ronaldo dhe Mesi, nuk shoh asnjëherë dikë duke menduar se ai është më i mirë se unë”, tha sulmuesi që pranoi se kur ishte më i vogël kalonte orë të tëra në dhomën e tij duke provuar lëvizjet e Ronaldinjos me një top tenisi, ndërsa më pas i bënte lehtësisht të njëjtat gjëra në fushën e lojës me një top normal.
Stouk dhe Uigan ishin të gatshëm të blinin lojtarin në janar për 3 milion paund, ndërsa Kristal Palas refuzoi një ofertë prej 6 milion paund nga Riding vetëm pak orë para se të mbyllej afati i transferimeve në gusht, pasi klubi mendon se ai vlen më shumë se kaq. “E di që njerëzit mendojnë se po ekzagjerohet me shitjen time, por unë sinqerisht nuk mendoj asnjëherë se sa vlej. Thjesht kujtoj se disa njerëz shpreheshin se klubi duhej të më shiste sa më parë, pasi nuk vleja për asgjë”, ishte komenti i lojtarit që ka pranuar se ëndërron të luajë në elitën e futbollit anglez.
“Premier League është ajo ku unë dua të luaj, por nuk po them se dua të largohem menjëherë nga Kristal Palas. Unë kam luajtur më shumë se 100 ndeshje në kategorinë e dytë, ndërsa Oksleid-Çambërlei kaloi direkt te Arsenali pa luajtur as gjysmën e këtyre ndeshjeve. Kam folur me shokët e mi të kombëtares U-21, Henderson dhe Sterling, të cilët më kanë thënë se Premier League është kampionati i duhur për mua”, tregoi ylli i ri i Anglisë.