Hedhja e fishekzjarrëve në fushë nga tifozët është kthyer në një trend të rrezikshëm në stadiumet në mbarë botën. Por tani ka dalë një modë e re, e cila mund të krijojë probleme të mëdha, ajo e gjuajtjes së futbollistëve kundërshtarë me fishekzjarrë. Shembulli i radhës ka ardhur nga ndeshja e kampionatit rus mes Zenit dhe Dinamo Moskë, e cila u pezullua para fundit të pjesës së parë.
Shkak u bë hedhja e një fishekzjarri ndaj portierit të Dinamo Moskës, Anton Shunin, të cilit i shpërtheu ky fishekzjarr në fytyrë duke i dëmtuar syrin dhe duke e detyruar të shkonte me urgjencë në spital.
“Anton ka shikueshmëri të dobët në syrin e tij”, ishte konfirmimi i doktorit të klubit, Aleksander Rezepov, ndërsa edhe vetë portieri dha versionin e ngjarjes. “Unë pashë poshtë dhe në atë moment, fishekzjarri më shpërtheu në fytyrë. Aktualisht kam probleme me pamjen dhe me dëgjimin”, tha ai pas ndeshjes që u pezullua në minutën e 36-të kur ndodhi kjo ngjarje.