Lionel Mesi ka insistuar se nuk po ngutet për të filluar negociatat me Barcelonën për një kontratë të re. Marrëveshja aktuale mes palëve përfundon në vitin 2016 dhe lojtari 25 vjeçar deklaron se nuk është e nevojshme të krijohet panik i kotë, pasi e sheh veten në këtë klub edhe në të ardhmen e largët.
“Unë nuk shqetësohem për kontratën time, e kam përsëritur këtë edhe shumë herë të tjera. Objektivat e mija me klubin janë afatgjata: të përmirësohemi dhe të mundohemi të fitojmë gjithçka që e kemi fituar edhe më parë”, tha argjentinasi.
Mesi mund t’i shtojë CV-së së tij më shumë trofe, pasi është kandidati kryesor për të fituar “Topin e Artë” për herën e katërt radhazi, ndërsa me Barcelonën aktualisht kryeson renditjen e kampionatit spanjoll. Ai pranoi se ka etje të vazhdueshme për suksese të tjera në karrierën e tij.
“Njerëzit thonë se jam shumë konkurrues. Më pëlqen të stërvitem, më pëlqen të luaj dhe më pëlqen të fitoj. Kam qenë i tillë që i ri, por do të më gëzonte shumë edhe nëse një nga shokët e mi të skuadrës do ta fitonte “Topin e Artë”, pasi ata e meritojnë. Pa shokët e skuadrës, nuk do të kisha fituar asgjë nga ato që kam fituar deri tani”.
Mesi ka shpjeguar përsëri se në mendjen e tij nuk ekziston asnjë lloj konkurrence me Kristiano Ronaldon, duke theksuar se kjo është një shpikje e mediave.
“Unë nuk mundohem të konkurroj me Ronaldon, unë mundohem të bëj më të mirën me Barçën dhe Argjentinën. Kjo është diçka që është shpikur nga shtypi. As Ronaldo, e as unë, nuk konkurrojmë me njëri-tjetrin”, tha lojtari argjentinas.