Ja si u vranë Ziveri, Hekurani, Faiku, Aleksi...

27 Nëntor 2012, 21:53Politika TEMA


Nga Preç Zogaj

(Vijon nga numri i kaluar)

Nuk ishim në gjendje të dallonim a ishin fishekë luftarakë, plumba gome apo edhe ashtu edhe kështu, ato që po shkreheshin dyqind metra larg nesh, në thellësi të një mase tashmë të shkrifët njerëzish, që ndante vendqëndrimin tonë nga ndërtesa e Kryeministrisë. Por nuk dyshonim atëbotë se Garda po qëllonte në ajër. Në vështrimin tonë ishte një gjest i pakuptimtë, sa kohë që demonstrata po shpërndahej. Megjithatë, ndoshta dikush kishte nevojë të tregonte trimëri, ndonjë burracak kishte nevojë të mburrej. Pa përjashtuar tjetrën: atyre që në krye të herës kishin hedhur mbi demonstratën “parfumin” mbytës të gazit lotsjellës, u shijonte ta mbyllnin atë dafrungë me aromën e barutit. Për të ekspozuar kësisoj forcën e pathyeshme të shtetit përballë forcës së thyeshme të opozitës. Mirë. Le të kënaqeshin ashtu. Veç të mos urdhëronin uljen e grykave të armëve në lartësinë e trupit të njeriut.

Por armët që kishin qëlluar në ajër në momentet e tensionuara të demonstratës, papritur do të uleshin në lartësinë e trupit të njeriut, kur demonstrata po shkrifërohej e po shkrehej dhe para Kryeministrisë kishin mbetur aq njerëz sa në boshllëqet e krijuara mund të hidhje valle. Tre demonstrues u vranë njëri pas tjetrit në ato sekonda fatale: Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. I katërti, Aleks Nika, u godit për vdekje dhe do të ndërronte jetë pas dy javësh në një spital të Stambollit. Vrasja e Ziverit nga shefi i shtabit të njësisë speciale (Grupi i zjarrit), Agim Llupo, u filmua live nga kamerat e televizionit “Neës 24”. Gardisti me një fytyrë prehistorike eci dy-tre hapa duke qëlluar sikur po i bënte nxemje automatikut të tij, pastaj u pozicionua në një si gropë para një parvazi të bodrumit të Kryeministrisë. Prej atje u pa të merrte shenjë dhe të hapte zjarr në drejtim të një mesoburri rreth të dyzetave, me pallto treçerekëshe, që ishte ndalur në bulevard, me duart në xhepa, disa metra para derës së rrethimit të jashtëm të Kryeministrisë dhe po vështronte si i habitur ndërtesën. Dukej tamam si ata vizitorët e rretheve, që ndalen të kundrojnë godinat qeveritare për të shuar kuriozitetin; dukej si dikush që ka pritur e ka pritur derisa janë rralluar njerëzit për t’iu afruar sadopak objektit të kërshërisë së tij. Si po i dukej Kryeministria? Ç’po mendonte vallë duke parë gjithë ata gardistë të armatosur në oborrin përballë? A e dallonte egërsinë dhe tërbimin në fytyrat e tyre? A po i dëgjonte të shtënat? Apo ishte harruar në botën e tij, në ëndërrimet e tij? Këtë përshtypje të jepte – përshtypjen e një të shkëputurit nga zallamahia rreth e rrotull – në sekondën para se të qëllohej brinjë më brinjë, nga ana e zemrës, me një goditje profesionisti, që nuk linte asnjë mundësi shpëtimi. U shkreh sikur po përmendej, sikur po e nxirrnin nga jermi, gjithë hutim; ra në kurriz i fikur, duke i marrë me vete përgjithmonë përgjigjet e pyetjeve të mësipërme, të cilat nuk do t’i ishin bërë kurrë po të mos vritej aty ku u vra.
Hekuran Deda, një dibran rreth të tridhjetave, i shpërngulur me familjen në fshatin Laknas të Tiranës, qe vrarë sakaq disa metra me tutje. Plumbi i gardistit vrasës e kishte goditur në kokë, në podiumin e televizionit ABC, ku ishte ngjitur për të parë më mirë dhe ndoshta edhe për të qenë më i mbrojtur, duke shkuar me mendimin se karakollët e mediave nuk prekeshin, madje ruheshin nga forcat e rendit. Llogari fatalisht e gabuar. Plumbi e kishte gjetur atje, duke e shembur nga podiumi në trotuar; gazetari i televizionit ABC, Fatos Mahmutaj, që po e ndiqte demonstratën nga i njëjti podium, u plagos në dorë njëherësh me Hekuranin. Fati nuk deshi ta merrte atë çast në botën e të shumtëve. Por do ta degdiste në rrugët e Europës në kërkim të drejtësisë për tmerrin që i kishin parë sytë.

Dyzet metra më tej, në anën tjetër të trotuarit, arma e komandantit të gardës, Andrea Prendi, një pistoletë tip “bereta”, kishte rrëzuar përtokë një pesëdhjetë e shtatë vjeçar nga Fieri, Faik Myrtajn, dhe një tridhjetë e gjashtë vjeçar nga Lezha, Aleks Nikën. Faiku ishte qëlluar në gjoks, Aleksi në kokë. I pari kishte vdekur në vend, i dyti jepte akoma shenja jete. Ndryshe nga Llupo, Prendi nuk ishte filmuar nga kamerat e televizioneve duke hapur zjarr. Ekspertiza e FBI-së amerikane do të provonte më vonë se arma e tij kishte qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të turmës. Hetimi i mbështetur në ekspertizën amerikane dhe në provat e tjera të mbledhura në vendin e ngjarjes do të provonte se Prendi, Llupo dhe pjesëtarë të tjerë të njësisë speciale kishin qëlluar mbi dyzet herë në drejtim të turmës dhe ishte një mrekulli që nuk ishin vrarë më shumë njerëz. Trembëdhjetë shenja plumbash do të gjendeshin në derën metalike të hyrjes kryesore të Kryeministrisë dhe po aq në kangjellat e pjesës veriperëndimore të rrethimit të saj. Tri predha do të gjendeshin gjithashtu në ndërtesën e UNHCR-së, që ndodhej në fund të një rrugice në anën tjetër të bulevardit, në vijë të drejtë me pozicionet e gardistëve të grupit të zjarrit.

E lëshuar, me katër të vrarët sa në një anë të bulevardit në tjetrin dhe me të plagosurit që përkuleshin mbi plagët e tyre sikur nuk u besonin syve, demonstrata, aq sa kishte mbetur, po endej si e dehur midis krismave, plumbave dhe erës së barutit. Vdekja që kishte këputur katër vetë si t’u kishte rënë pika, lëvizte dredharake midis njerëzve, por askush nuk e çante kokën për të. I kishte zënë era e barutit dhe nuk u bënte përshtypje asgjë. Kam pas menduar gjithnjë se vrasjet e shpërndajnë turmën, siç shpërndan e shtëna me armë trumbën e zogjve të mbledhur në një pemë. Por nuk ishte kurdoherë ashtu. Më 21 janar kam parë njerëz që suleshin me zemërim andej nga vinin plumbat, kur shihnin fqinjin e tyre të panjohur t’u rrëzohej te këmbët.

***
Lajmin e parë për një vrasje ma dërgoi me sms Mero Baze. “Më duket e vranë njërin.” Këto fjalë shuan pamëshirshëm shijen e shakave që kishim shkëmbyer disa minuta më parë. I shikoja në ekran dhe më bëhej se celulari që mbaja në dorë ishte rënduar papritur. Unë kisha një mandatë në celularin tim.

Edi Rama ndoshta e kishte marrë këtë lajm para meje. Te kullat binjake kishte disa deputetë socialistë që komunikonin me të. Megjithatë, me mendimin se nuk kisha të drejtë dhe ishte gjynah të mbaja për vete lajmin e zi, vajta dhe ia thashë ashtu siç ma kishte shkruar Bazja. Më duket kanë vrarë një njeri.

Mjekra e tij me qime të shkurtra u ashpërsua si një maskë me ferra. Ashtu u duk i huaj dhe sureal. Tani ishin shumë që po i kërkonin të kthehej në zyrën e tij në Partinë Socialiste. Ai, me sa dukej, kishte disa minuta që po mendonte të njëjtën gjë. U nis me një farë nxitimi të frenuar nga njëlloj pendimi, që po i kthente shpinën një demonstrate ku nuk kishte mundur të merrte pjesë tamam dhe ku kishin ndodhur ngjarje të rënda, ende të paqarta.

Pak më vonë, pasi u përpoqa pa sukses të konfirmoja vrasjen dhe të mësoja emrin e personit për të cilin me kishte shkruar Mero Baze, u ktheva dhe unë në zyrën e Ramës. Ishte hera e parë pas më shumë se një dekade që kaloja derën e selisë rozë dhe hyja në zyrën e kryetarit të saj. Ishte diçka krejt tjetër nga çfarë mbaja mend nga vizita e marsit të vitit 1997, kur bashkë me miqtë e mi të Aleancës Demokratike kishim shkuar për t’i uruar Fatos Nanos lirimin nga burgu dhe rikthimin në zyrë. Por nuk ishte momenti për të qëmtuar kontraste.

Në zyrën e Ramës ishin mbledhur disa kryetarë të partive të vogla. Po diskutonin për daljen e Ramës me një deklaratë për shtyp. Dha secili mendimin e vet, si duhej bërë e çfarë duhej kërkuar. Asnjëri nuk kishte lajme të qarta për vrasje dhe plagosje njerëzish. Rama ishte ulur ndërkaq para kompjuterit në tryezën e tij të punës dhe po shkruante me nxitim. Nuk fliste njeri në zyrë. Dëgjoheshin vetëm të rrahurat ritmike të tastierës dhe zërat e ulët të komentatorëve televizivë nga një ekran në tjetrin. Rama e përfundoi shpejt deklaratën e tij, e printoi dhe doli ta lexonte para mediave në hollin e katit të parë të selisë. Ora donte edhe njëzet minuta të shkonte shtatëmbëdhjetë. Demonstrata, gjithë-gjithë, nuk kishte zgjatur më shumë se dy orë e gjysmë.

Sapo ishte kthyer në zyrë, kur në titrat e televizionit “Neës 24” dolën njoftimet e para për të vrarë dhe për të plagosur, që po asistoheshin në spitalin ushtarak. Ngrimë të gjithë. S’kaluan as dy-tri minuta dhe ja, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë, shefi i urgjencës në spitalin ushtarak, Sami Koçeku, konfirmoi se kishte për momentin dy qytetarë të vrarë dhe disa të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rendë. Duke përshkruar plagët e të vrarëve, ky mjek shtoi se armët që i kishin shkaktuar “duhet të jenë armë të një fuqie të vogël; do të thotë se janë qëlluar nga afër me pistoleta të vogla”. Fjalët e tij sesi na u dukën. Jetonim në regjimin e lirisë së fjalës. Gjithkush kishte të drejtë të thoshte atë që mendonte. Por dalja e këtij mjeku të urgjencës në rolin e një eksperti armësh binte erë të keqe. Duhej të prisnim për të kuptuar në çfarë roli ishte dhe kujt ia kishte hedhur topin drejt e nga spitali.

Lajmi, tashmë zyrtar, se kishte të vrarë dhe të plagosur, e kishte djegur komunikatën e pakmëparshme të Ramës. Duhej hartuar urgjent një tjetër, por më parë duheshin saktësuar informatat. Kush ishin të vrarët, ku ishin vrarë dhe si? Po të plagosurit? Sa ishin demonstrues dhe sa policë? Si ishte gjendja e tyre? Rama urdhëroi dikë të nisej urgjent me një grup deputetësh në spitalin ushtarak dhe të njoftonin prej atje situatën. Përsëri ra heshtje. Edhe ekranet i kishte pushtuar një lloj hutimi dhe zije. Dukej sikur me të vrarët e demonstratës ishte vrarë edhe fjala.

Por fjala doli furishëm pikërisht prej andej nga s’pritej të dilte në atë moment. Nga Kryeministria. Sali Berisha u shfaq para mediave me një pamje të sertë e të pezmatuar. Bulevardi para selisë së qeverisë ishte larë me gjak për herë të parë gjatë njëzet vjetëve të hapjes demokratike të Shqipërisë. Ai kishte qenë në zyrë kur poshtë xhamit të dritares së tij ishin vrarë njerëz që kërkonin maksimumi dorëheqjen e tij si kryeministër. Për shkak të postit dhe vendndodhjes, ai nuk mund të hiqej dorëjashtë për vrasjet. Edhe po të ishte vërtet dorëjashtë. Nuk mund ta ndante fatin e tij nga jetët e shuara me plumb në një tip demonstrate popullore, që vetë ai e kishte modeluar e frymëzuar sa e sa herë kur kishte qenë në opozitë. Unë mendoja se në atë orë, mbi karmën e Sali Berishës, po lëshonte vellon e vet hijerëndë dhimbja, remordi dhe zija për të vrarët, që ishin nënshtetas të vendit të tij, në fund të fundit. E mendoja të tronditur dhe të alivanosur në karrigen e tij.
Ndoshta nuk kam gabuar qysh prej fillimit me përfytyrimet e mia. Ndoshta Sali Berisha ishte shokuar vërtet kur ishte informuar për të vrarët. Por pastaj, në vrullin e zhvlerësimit të çdo jete përpara karriges dhe karrierës, kishte marrë vendimin e mohimit të vrasjeve nga trupat e komanduara prej tij.

Akuzoi opozitën se kishte organizuar “një skenar puçist, skenarin tunizian” dhe tha: “Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe mjekëve të reanimacionit janë se ata janë gjuajtur me armë të lehta. Por kjo do të faktohet shumë thjesht, sepse në të gjitha rastet plumbi nxirret, ka qenë aq i dobët sa nuk i ka përshkuar dot shtresat. Madje thuhet, por do të shohim, se janë me silenciatorë. Këto janë të dhënat e deritanishme që akuzojnë direkt skenaristët…”

U mor vesh kujt ia kishte hedhur apo kthyer topin shefi i urgjencës së spitalit ushtarak. I doli koka intrigës. Të vrarët dhe të plagosurit ishin qëlluar pra nga brenda demonstratës, me armë të vogla dhe silenciatorë, nga killer të paguar, sipas një skenari makabër të organizatorëve të protestës, me qëllim që të akuzonin Kryeministrin si gjakderdhës për të justifikuar eliminimin e tij.

Të luante mendja ta dëgjoje. Vetëm një kryeministër në lëmshin tokësor ia lejonte vetes të fliste para popullit të tij, në një mbrëmje të përgjakshme të historisë së tij, me “thuhet” dhe këto që “thuheshin”, t’i konsideronte “të dhëna”. Po bënte të skandalizuarin, të indinjuarin dhe të tërbuarin që ishte sulmuar në ndërtesën e tij, që ishte mbajtur në rrethim “për pesë orë”!

Po shkonte ora shtatëmbëdhjetë.

Demonstrata kishte filluar në orën 14.20.

Vrasjet ishin kryer rreth orës 16.00.

Demonstrata ishte shpërndarë rreth orës 16.30.

Nuk ishin mbushur ende tri orë të plota nga çasti i fillimit të demonstratës, që tashmë ishte shkalafitur.
Edi Rama ishte ulur në karrige sikur s’do të ngrihej më kurrë. Ndoshta po priste t’i kalonte tronditja, që të mos i binte me kokë ndonjë muri kur të ngrihej. Ndoshta po e mendonte atë çast ose do ta mendonte më vonë, duke kujtuar oraret e vrasjeve dhe plagosjen se njerëzve dhe duke parë fytyrën e shpërfytyruar luftarake të Sali Berishës, se ky ia kishte hedhur te këmbët ato viktima. Ja, intifada jote!

Do të doja ta kisha parë atë çast Sali Berishën në selinë e Kryeministrisë. Do të doja ta shihja duke larguar nga tryeza e tij çdo letër me informacione të rregullta dhe duke dekurajuar me gjeste çdo informim korrekt rreth demonstratës dhe pasojave të saj. E vërteta nuk e ndihmonte të ndërtonte gënjeshtrën dhe revanshin që kishte në mendje. Vetëm fantazia e ndihmonte.

***
Me këto mendime celulari që mbaja në xhep u drodh. Në gjithë trupin tim vërshoi parandjenja e një lajmi të keq. E pashë numrin e atij që po merrte. E hapa celularin dhe në vend të pyetjes “ku je?” aparati im i markës “Nokia” shkarkoi në veshët e mi një të qarë të rëndë burri. Salvator Kaçaj, ish-futbollisti i kombëtares, më njoftoi mes të qarave plagosjen për vdekje të djalit të vetëm të Ndue Nikës nga Lezha, Aleksit.

Kaçajt dhe Nikajt kishin jetuar dikur dera-derës në Grykë-Manati të Lezhës. Salvadori i ruante marrëdhëniet e vjetra të respektit me ish-fqinjët e tij. Nuk ishte e habitshme që po qante. Edhe mua m’u mblodh një lëmsh në grykë. Nuk kisha pasur rastin ta njihja nga afër Aleksin, por familja ime kishte lidhje të vjetra miqësore me Nikajt. E merrja me mend gjëmën e kësaj humbjeje të tmerrshme për ta.

U nisëm menjëherë me Spartak Ngjelën drejt spitalit ushtarak. Nuk flisnim asnjëri, por merreshim vesh mirë për atë që po bluanim në mendje. Afrimi i makinës drejt spitalit ushtarak kryqëzohej me shenjat gjithnjë e më të shtuara të tensionit dhe alarmit atje. Spitali ziente nga ecejaket. Policia dhe mediat kishin zënë hyrjen kryesore. Qëndronin si zakonisht në distancën e një armiqësie të fshehtë, të maskuar me shprehjen e solidaritetit. Unë dhe Spartaku kaluam para kamerave me hap të shpejtë, si para një përbindëshi me shumë sy. Disa nga kamerat na ndoqën deri thellë në korridorin e brendshëm të spitalit. Ishim personat e parë mediatikë nga bota e politikës që po vizitonim spitalin. Brenda ishte rrëmujë e madhe. Dhjetëra civilë shkonin e vinin si të tromaksur duke kërkuar të dinin, të dinin, të dinin. Mjekët, infermierët dhe çdo fytyrë e njohur ishin gjahu i rrallë i atij kërkimi. Sekush pyeste për dikë. Shumica ishin të afërm dhe shokë të të vrarëve dhe të plagosurve. Kishte edhe viktima të lajmeve kontradiktore, që kishin ardhur në spitalin e gabuar në kërkim të dikujt që ndoshta po merrte ndihmën e parë diku tjetër, ose nuk kishte pësuar gjë por ashtu kishin dalë fjalët.
Unë isha bashkuar ndërkaq me Salvadorin dhe me një grup djemsh nga Lezha. Salvadori kishte ende në sy shenjat e lotëve. Një zemërim i madh ia kishte terur fytyrën. Po më printe nëpër një korridor të gjatë drejt pavionit ku dergjej Aleks Nika. Pashë skanerin e plagës që kishte marrë në kokë . Një mjek i përkushtuar më tregoi vendin ku ishte goditur – pak centimetra mbi vetullën e majtë – dhe më shpjegoi me hollësi dëmtimet që kishte pësuar i plagosuri në tru përpara se plumbi të ndalonte në pjesën e prapme të kokës. Në përgjigje të pyetjes kryesore që bën gjithkush në raste të tilla – sa shanse kishte i plagosuri për të shpëtuar?- m’u përgjigj me çiltërsi dhe keqardhje:
-Ka shumë pak shanse për të jetuar. Dhe nuk ka asnjë shans për t’u kthyer në gjendjen normale.
-Që do të thotë…?
-Që do të thotë se edhe po të ndodhë mrekullia të jetojë, ai do të mbetet gjysmë njeriu.
Më mirë gjysmë se asgjë, thashë me vete.
Përmendja e fjalës “mrekulli” u pasua nga një si heshtje liturgjike, e cila me sa duket i shërbeu doktorit të hidhte vështrimin përtej caqeve të dijes, në mbretërinë amorfe të besimit dhe të shtonte:
-Zoti nganjëherë bën mrekulli që nuk i rrok mendja jonë.
E falënderova dhe dola. Në korridor më zunë rrugën pesë-gjashtë burra në moshë të re. Ishin të tronditur. Njëri prej tyre i kishte sytë plot me lot. Më tha se nuk dinin ç’po ndodhte me vëllanë e tyre, dikush thoshte se kishte vdekur, dikush thoshte se ishte gjallë, askush nuk po u tregonte ku ishte shtruar, kudo ku kishin trokitur ua kishin mbyllur derën…
-Të lutemi shumë, na ndihmo të gjejmë vëllanë, të marrim vesh të vërtetën.
Ishin vëllezërit dhe kushërinjtë e Hekuran Dedës. Nuk e kisha mësuar ende emrin e Hekuranit dhe s’mund ta dija atë çast se ishte njëri prej dy demonstruesve që kishin mbërritur të vdekur në spitalin ushtarak. Mbeta pa fjalë përballë të përloturit dhe të tjerëve që ishin me të. Dikush nga shpura që më vinte prapa këputi një të sharë kundër autoriteteve të spitalit. Kuptohet, nuk mund të isha dakord me një revoltë të tillë. Spitali ngjante i pushtuar, rregullat ishin prishur, s’kishte më as komunikim publik, as zëdhënie të rregullt. Vetë mjekët nuk e kishin të lehtë në ato rrethana të përballeshin me dëshpërimin dhe zemërimin e njerëzve.

Me ndihmën e një infermieri gjeta repartin ku ndodhej Hekuran Deda. U thashë vëllezërve të tij të prisnin pak në korridor sa të sigurohesha, në fakt doja të bisedoja paraprakisht me ndonjë mjek brenda, që të mos i vija në vështirësi. Nuk gjeta një, por tre mjekë. Më pritën me respekt, më dëgjuan. Njëri prej tyre më tërhoqi pak mënjanë dhe më tha: “Ai është i mbaruar, ta dish. E kanë qëlluar në kokë.”
-Ku është?- pyeta unë. Mjeku më tregoi një shtrat-ambulancë diku në qendër të një salle të madhe, gjysmë të ndriçuar. Të vrarin e kishin mbuluar me batanije deri afër mjekrës. Tubat dhe kordonët e aparaturës të krijonin iluzionin se ishte akoma në jetë dhe po merrte oksigjen e serume. Iu luta mjekut t’i lejonte dy vëllezërit që po prisnin në korridor të shihnin vëllanë. Tha “po”, por shtoi se nuk mund të qëndronte për të dhënë shpjegime si dhe qysh. Nuk e bënte dot. “Jo, nuk po të kërkoj këtë”, i thashë. Atëherë ai urdhëroi një infermiere të merrte dhe të shoqëronte dy vëllezërit pranë vëllait të tyre. “Ta shohin! Asgjë më shumë”! i tha infermieres. Më përshëndeti mua dhe iu drejtua dhomës ku kishte lënë kolegët e tij.

Unë prita pak në këmbë derisa u afruan dy vëllezërit e Hekuranit. Infermierja që u printe qëndroi para shtratit. U bëri shenjë me dorë se nuk mund të afroheshin më shumë. Vëllezërit u ndalën. Një copë herë vështruan të hutuar në drejtim të vëllait të shtrirë, që dukej sikur ishte në koma. Sakaq njëri prej tyre u shkreh në vaj, tjetrit i rrodhën lotët çurg nëpër faqe, por u përpoq ta mbante veten. Më pyeti mua a është gjallë. Mjekra i dridhej. Unë e tërhoqa pak nga vetja dhe i fola instinktivisht me zë të ulët, sikur nuk doja të na dëgjonte Hekurani. “Zoti e di”. Pastaj sesi më shkrepi t’i përcillja iluzionin që më kishin krijuar mua tubat dhe kordonët e shtratit-ambulancë. Shtova: “Përderisa vazhdojnë ta mbajnë me oksigjen…”

Ai më pa mua, pa nga shtrati, më pa përsëri dhe më kërkoi të bëja çmos, çmos, çmos për ta shpëtuar. Pastaj tërhoqi ngadalë vëllanë e tij, që vazhdonte të qante e të shihte me habi rreth e rrotull si të ishte në ëndërr. Infermierja i përcolli në korridor. Mua më vinte çudi përse nuk ua njoftonin zyrtarisht vdekjen e Hekuranit të afërmve të tij. Çështje procedurash? Apo ndonjë puls i shkëputur jete vazhdonte të rrihte për inerci në trupin e atij të mjerit dhe për këtë shkak mjekët nuk kishin të drejtë të deklaronin zyrtarisht vdekjen e tij? Kush e merrte vesh.
(Vijon nesër)

2 komente në “Ja si u vranë Ziveri, Hekurani, Faiku, Aleksi…”

  1. coku says:

    te jene te shkruar qe jo shume larg vrasesit te pergjigjen per keto krime. shume thone qe s’ka drejtesi ketu por une kam nje shprese qe kete here do te paguhet gjithcka deri ne fund.

  2. jimmy says:

    4 DEMOSTRUSIT U VRANE ME PARAMENDIM,QE ME ANE TE VIDJOS TE TREGONIN QE I KA VRARE OPOZITA ME VRASES ME PAGESE.POR JU DOLI HUQ SEI KAPI NEWS 24 ME PRSH NE DUAR.MENDONI PAK PO OS TE ISHTE FILMIMI I TAN HOXHES ,SOT EKESAJ DITE DO THUHEJ QE U VRANE NGA AI XHAJA ME KAPELE.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje