Venger konfirmon: Dua Henri dhe dy të tjerë

30 Nëntor 2012, 13:25Sport TEMA

Arsen Venger ka konfirmuar se do të mundohet të blejë dy futbollistë gjatë merkatos së janarit, ndërsa do të mundohet të huazojë përsëri Tierri Henri, ashtu si në vitin e kaluar. Në një intervistë për “Bein Sport”, francezi konfirmoi se kishte fonde në dispozicion për këto lëvizje në merkato.

“Në dimër do të punojmë shumë, pasi kemi fonde ne dispozicion për të hyrë në merkato. Ndoshta do të blejmë dy lojtarë, por nuk mund të zbuloj emrat e tyre. Huazimi i Henri është përsëri një mundësi, por më shumë jemi të përqendruar për përforcimin afatgjatë të skuadrës”.

“Henri është një talent që ti ëndërron ta kesh në skuadër. Ai ka fizik fantastik, teknikë fantastike, një tru fantastik, të gjitha të ndërtuara bashkë në një njeri. Në fillim ai nuk kishte besimin e duhur në aftësitë e tij, por më pas vazhdoi të tregonte se çfarë lojtari i madh është”, tha Venger për “nxënësin” e tij.

Mediat britanike mendojnë se dy emrat që Venger nuk përmendi janë Uilfrid Zaha i Kristal Palas dhe Jan Klas Huntelar i Shalke. I pari kushton rreth 15 milion paund dhe për të duhet luftuar konkurrenca e thuajse të gjitha klubeve të tjera të mëdha në Angli. Ndërsa i dyti po shkëlqen në Gjermani dhe është gati të transferohet te klubi anglez në janar, ose në fundin e këtij sezoni, kur t’i mbarojë kontrata ekzistuese me Shalken./lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje