Një tragjedi e pabesueshme ka ndodhur në futbollin e moshave në Holandë. Një drejtues i skuadrës së Buitenbois, i cili po kryente rolin e vijërojtësit siç ndodh shpesh në ndeshjet e moshave në kampionatet amatore, është rrahur për vdekje nga disa lojtarë të moshës 15-16 vjeçare të skuadrës së Amsterdam Nieu Sloten.
Riçard Nieuenhuizen u rrëzua në tokë dhe pastaj u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ia doli për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë. Ndërkohë, policia ka arrestuar fëmijët e përfshirë në këtë “linçim masiv”.
“Ai vrapoi, por të gjithë fëmijët e ndoqën dhe e rrahën”, ka shpjeguar një zëdhënës i policisë. Nieuenhuizen është goditur me grushte dhe shkelma në kokë, duke pësuar dëmtime të rënda cerebrale. I transportuar me urgjencë në spital, ai është shuar përfundimisht pas pak orësh. Lajmi për vdekjen e tij është shpërndarë nga klubi i Buitenbois, ku ai punonte si drejtues. Ndërkohë, policia ka bërë të qartë se mund të ketë arrestime të tjera pasi nuk janë ndalur të gjithë fëmijët e skuadrës kundërshtare dhe prindërit e pranishëm të cilët nuk kanë vepruar për të ndalur masakrën.
Lajmi ka sjellë një reagim të ashpër nga të gjitha autoritetet më të larta holandeze, si të sferës sportive, ashtu edhe të asaj shoqërore. “E gjithë kjo nuk ka asnjë lidhje me sportin dhe nuk mund të tolerohet”, ka konfirmuar Ministrja e Sportit në Holandë, Edith Shipers. Shumë parti politike opozitare i kanë bërë thirrje kolegëve të tyre të maxhorancës që të merren masa shumë të ashpra për të ndalur valën e dhunës në futbollin amator. “Kjo është një ngjarje e tmerrshme”, ishte komenti që doli nga vetë zyrat e Federatës Holandeze të Futbollit.