Venger lëshon sinjale largimi

2 Dhjetor 2012, 16:49Sport TEMA

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka bërë të qartë se në fund të këtij sezoni do të rishohë pozicionin e tij në stolin e skuadrës, pasi u bë sërish objekt i fyerjeve nga tifozët të cilët protestuan për humbjen e radhës të kësaj skuadre.

Humbja 2-0 në shtëpi përballë Suonsi solli fillimin më të dobët të sezonit në historinë e klubit që nga momenti kur Venger mori drejtimin e tij, ndërsa u ndoq nga protesta e tifozëve që cilësojnë “lakmitarë” drejtuesit e klubit londinez.

Trajneri francez sqaroi se çdo vendim i largimit do të merret vetëm në fund të sezonit, pasi nuk dëshiron të lërë në mes një punë të nisur.

“A më shkon ndër mend të jap dorëheqjen tani? Aspak! Vlerësimet bëhen në fund të sezonit. E di që kemi pakënaqësi në çdo anë. Por pikërisht kjo është mundësia që kemi për të qëndruar të bashkuar dhe për të treguar se jemi një klub i madh”, tha francezi.

Ndonëse Venger me fjalët e tij tha se nuk do të largohej, kjo është hera e parë që nga momenti kur erdhi te Arsenali që ka pranuar se në fund të sezonit do të rishikojë pozicionin e tij, pas 7 viteve radhazi pa asnjë trofe.

“Nuk jam i shqetësuar për pozicionin (vendi i 10-të me 15 pikë) që kemi në renditje, ajo që më shqetëson është loja. Duhet të kthejmë përsëri cilësinë e lojës. Unë i kuptoj shumë mirë tifozët e pakënaqur”, tha Venger, i cili shpesh u ka bërë thirrje drejtuesve të klubit që t’i vënë më shumë para në dispozicion në mënyrë që ai të arrijë të mbajë yjet dhe të afrojë të tjerë.

Strategjia e kursimit ka bërë që gjatë viteve të fundit, nga Arsenali të largohen lojtarë si Fabregas, Adebajor, Nasri, Klishi, Song e Van Persi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje