Shorti i Kupës së Konfederatave që zhvillohet vitin e ardhshëm, ka vënë përballë njëra-tjetrës dy kombëtare ndër më të njohurat në arenën ndërkombëtare, Brazilin dhe Italinë. Në shortin e organizuar sot, grupi i vendasve ka qenë ai “bombë”, pasi përveç këtyre dy ekipeve, përballë tyre do të jenë edhe Meksika e Japonia.
Kuptohet që Brazili është favorit dhe kërkon me ngulm këtë trofe simbolik, por që do t’i shërbejë më mirë për të kolauduar skuadrën për Botërorin e vitit 2014.
Por Italia është një kockë shumë e fortë, siç ka treguar me arritjen në finalen e Euro 2012 dhe do të kërkojë të kualifikohet të paktën në gjysmëfinalen e këtij turneu.
Japonia, fituese e Kupës së Azisë 2011, është gjithmonë një kundërshtar shumë i vështirë për këdo, ndërsa Meksika vjen në këtë turne me petkun e kampiones olimpike, pasi i morën medaljen e artë në finale pikërisht Brazilit.
Një short disi më i lehtë në letër ka qenë ai i grupit tjetër, ku Spanja, Kampione Bote në fuqi, është vënë përballë Uruguait, Kampion i Kupës së Amerikës, Tahitit që fitoi Kupën e Oqeanisë dhe skuadrës që do të fitojë Kupën e Kombeve të Afrikës në janar.