Rafael Benitez ka pranuar mbrëmë se ai mund të rrezikojë shkarkimin, pasi nuk është “100% i sigurt” rreth të ardhmes së tij, sidomos pas humbjes 3-1 të Çelsit përballë Uest Hem.
“Jo, nuk jam 100% i sigurt rreth pozicionit tim. Por sot nuk fituam dhe kjo është gjëja e rëndësishme që duhet të diskutojmë”, ishin fjalët e tij në konferencën per shtyp pas ndeshjes, duke u munduar të evitojë pyetje rreth të ardhmes pas vetëm tre takimesh në drejtimin e kësaj skuadre, ku ka regjistruar 2 barazime dhe 1 humbje.
Trajneri vazhdon të jetë një armik i tifozëve të Çelsit, të cilët në ndeshjen e luajtur në transfertë ishin përsëri të shumtë në numër dhe nuk kursyen thirrjet “Do të pushohesh nesër nga puna”, duke e tallur vazhdimisht spanjollin, i cili ka pranuar se situata për momentin është më e vështirë se e mendonte.
“E dimë që duhet të fitojmë ndeshje për të ndryshuar këtë situatë. Shqetësimi im i madh për momentin është të përmirësoj skuadrën dhe të analizoj se çfarë po shkon gabim në fushë. Nëse ndryshojmë gjërat dhe fillojmë të fitojmë, do të jetë më e lehtë të ndryshojmë edhe situatën me tifozët, pasi ata do të jenë të lumtur. A është kjo një sfidë më e vështirë se sa prisja? Po, mund ta themi një gjë të tillë”, pranoi ai, duke lënë të kuptohet se nuk priste një situatë kaq kaotike dhe armiqësore kur të merrte drejtimin e ekipit londinez.