Ferguson zgjedh Murinjon: Mund të jetë pasardhësi im

3 Dhjetor 2012, 11:43Sport TEMA

Trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, beson se Zhoze Murinjo do të ishte një kandidat shumë i fortë për ta zëvendësuar pas largimit të tij nga drejtimi i kësaj skuadre. 70 vjeçari është në drejtimin e Junaitid që nga viti 1986 dhe nuk ka treguar ende se kur mendon të largohet nga futbolli aktiv.

Por ai i ka thurur elozhe trajnerit aktual të Real Madrid dhe e sheh atë si një person me cilësitë e duhura për të drejtuar “djajtë e kuq”.

“Ai mund të drejtojë kudo, për këtë nuk kam dyshime”, ishte përgjigja e Ferguson në një dokumentar të “ITV4” ku u pyet nëse e shihte Murinjon si pasardhësin e tij.

“Unë nuk do ta kisha besuar kurrë se një person që nuk ka luajtur asnjë ndeshje futbolli do të bëhej një trajner i mirë, por në këtë rast mjafton të shohësh personalitetin e tij. Ai ka një personalitet të fortë të mrekullueshëm dhe kjo është ajo që bën diferencën”.

“Më kujtohet konferenca e tij e parë për shtyp te Çelsi dhe mendova: ‘O Zot! Ky qenka një arrogant!’. Ai po u thoshte lojtarëve të vet: ‘Shihni, unë jam speciali dhe ne nuk humbim ndeshje’. Ishte e pabesueshme, vinte në Angli, ishte i ri dhe deklaronte se ishte special. Por unë u thashë menjëherë lojtarëve të mi që të besonin se ata mund ta fitonin kampionatin”, tregon Ferguson për periudhën kur Murinjo mori drejtimin e Çelsit.

Dy trajnerët kanë krijuar një miqësi të fortë gjatë viteve dhe durojnë thuajse çdo lloj shakaje mes tyre. “Kur ai vjen në zyrën time, i pranon shakatë ndaj tij, kjo është ajo që më pëlqen më shumë. E ngacmoj shpesh, por ai pranon gjithçka me humor. Mendoj se imazhi polemik nuk e shqetëson Zhoze, pasi ai e di se rezultatet janë ato që kanë rëndësi”, tregoi Ferguson.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje