Dëmtimi i Lionel Mesit nuk është aq i rëndë sa mendohej, ndërsa lojtari pritet të kthehet me skuadrën që nga java e ardhshme. Faktin e ka pranuar vetë lojtari argjentinas në një konferencë për shtyp të një fushate publicitare.
Gazetat spanjolle sot botuan lajmin se dëmtimi i argjentinasit ishte shenjë e fatit dhe argjentinasi nuk duhej aktivizuar ndaj Benfikës, pasi jo rastësisht në fushë pak minuta më parë kishte kaluar një mace e zezë. Si rrjedhojë, mendohej se talenti i Barcelonës nuk do të kishte mundësinë të arrinte apo kalonte rekordin e golave të Gerd Myler. Por Mesi është shfaqur i qeshur sot para gazetarëve, duke komentuar goditjen e marrë në ndeshjen e mbrëmshme.
“Ndjehem mirë, fatmirësisht ishte thjesht një goditje e fortë. Kur hipa në barelë mendova më të keqen, për shkak të dhimbjes që ndjeja kujtoja se do të qëndroja jashtë fushave të lojës për shumë kohë. Prandaj e mbylla aksionin me një gjuajtje pavarësisht dhimbjes, pasi mendova se do të ishte topi i fundit që do të prekja për shumë kohë”, pranoi futbollisti argjentinas.
“Nuk di nëse do të mund të luaj që këtë të diel në kampionat, të shohim se si shkojnë gjërat”, tha futbollisti që deri të shtunën do të stërvitet vetëm në palestër. “Por skuadra, si me mua, si pa mua, do të jetë njëlloj, pasi ka lojtarë të shëklqyer të nivelit të lartë. Nuk është se ndjekja e rekordit të Myler e solli këtë dëmtim. Mund të ndodhte kudo, në stërvitje apo cilëndo ndeshje të radhës. Kur hyn në fushë ekziston gjithmonë rreziku i dëmtimit”, tha ai.
Te urojme sherim te shpejte ,jo per te thyer rekorde por per te na kenaqur me futbollin spektakolar qe ben. Kthim te shpejt ne fushe !
Macja e zeze ?!-Nje te tille e pashe sot te kalonte para kryeministrise .