Libri i poetit të njohur shqiptar Preç Zogaj, u vlerësua si një nga tre veprat më të mira të Ballkanit, në Veliko Ternovo të Bullgarisë, ku u shpall shkrimtari fitues i çmimit vjetor letrar ndërballkanik “Balkanika”
Çmimi i sivjetshëm iu akordua shkrimtarit të njohur turk Nedim Gyrsel, për romanin e tij “Engjëlli i Kuq”. Romani u cilësua si një vepër tepër e rëndësishme që pershkruan ndryshimet e mëdha të shekullit të kaluar në Europë dhe në Turqi. Morën pjesë në konkurim shkrimtarë nga Maqedonia, Bullgaria, Serbia, Greqia, Rumania dhe Shqipëria. Vendi ynë u paraqit me shkrimtarin, poetin dhe publicistin Preç Zogaj, me vëllimin e tij me poezi “Ngjarje në tokë”.
Poezia e Preç Zogajt u cilësua si poezi e një niveli tepër të lartë, e cila trajton tema universale si ekzistenca dhe kondicioni human, me një aftësi poetike të habitshme e të papritur, me stil origjinal, figuracion të pasur e elegant. Kjo vepër u klasifikua ndër tre veprat më të mira. Vëllimi poetik “Ngjarje në tokë”, u diskutua shumë, pasi ngjalli një interes të vecantë, për më tepër që ishte i vetmi vëllim me poezi që konkuronte ndaj disa romaneve.
Në juri u diskutua mjaft gjatë për poezinë e Prec Zogajt. Për shkak të një kriteri “të pathënë” poezia konkuron gjithnjë përballë romaneve dhe kjo krijon vështirësi në gjykim të barabartë mes zhanreve letrare. Diskutimi i artikuluar me seriozitet të madh mbi veprën poetike të Prec Zogajt, solli si përfundim një vendim të rëndësishëm të Balkanika-s: vitin e ardhshëm konkursi do të fokusohet vetëm tek poezia, për të patur një vlerësim të drejtë e të niveluar. Ky ishte edhe një sukses tjetër i rëndësishëm i letërsisë shqipe në rajonin e Ballkanit e më tej.