Uejn Runi ka qenë dje në Zvicër, pasi futbollisti i Mançester Junajtid dhe Anglisë ka stërvitur atje nje grup fëmijësh. Sulmuesi zhvilloi stërvitjen teknike dhe dha një leksion mbi gjuajtjet në portë para fëmijëve të klubit zviceran të Pajern. Por kjo vizitë e tij nuk ishte thjesht për qejf.
Lojtari 27 vjeçar u dënua nga UEFA me dy ndeshje pezullim pas kartonit të kuq që mori në takimin me kombëtaren kundër Malit të Zi në tetorin e vitit 2011, pas faullit që kreu ndaj Miodrag Xhudoviç. Dënimi i tij fillestar ishte për tre ndeshje pezullim por u ul në dy pasi ai dhe trajneri i atëhershëm i Anglisë, Fabio Kapelo, morën pjesë në seancën e apelit në zyrat e UEFA-s. Falë zbritjes së dënimit, Runi mundi të luante dy ndeshje në Euro 2012, pasi rrezikonte të mos kishte mundësinë të paraqitej në këtë aktivitet.
Por me sa është mësuar dje, një nga kushtet për uljen e dënimit në dy ndeshje, ishte se sulmuesi duhej të merrte pjesë në punë sociale në një projekt të mbështetur nga UEFA. Kjo vizitë në Zvicër ishte pikërisht për të mbështetur këtë projekt, ku lojtarë të ndryshëm të famshëm i mësojnë futbollin fëmijëve në klubet amatore./lajmeshqip