Kredia për ekonominë ka hyrë në ngërç të plotë, pavarësisht rritjes së fortë të depozitave. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të tretë, kreditë e dhëna për ekonominë ishin sa 59.4 për qind totalit të depozitave.
Tre vjet më parë, pjesa e depozitave e rishpërndarë në kredi ishte gati 70 përqind. Tkurrja ka qenë më e fortë për fondet në valutë, ku raporti mes kredisë dhe depozitave zbriti nga 110 përqind në vitin 2009 në 76 përqind në fund të tremujorit.
Këta tregues dëshmojnë se bankat janë kthyer në agjenci që vetëm pranojnë depozita dhe nuk japin më kredi. Sipas Bankës Botërore shqipëria është sot vendi më ndërmjetësimin më të ulët financiar edhe ndër ekonomitë e ngjashme të rajonit, ku bankat kanalizojnë si kredi për ekonomitë respektive nga 90 deri në 122 për qind të depozitave.
Por ku shkojnë paratë e bankave shqiptare? Në fund të tetorit te këtij viti shifra e fondit qe bankat mbajnë jashtë shtetit arriti rekordin historik e 1.7 miliard dollarëve, ose 15 përqind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.
Në tre vitet e fundit paratë që bankat investojnë jashtë vendit jashtë janë rritur me ritme të jashtëzakonshme dhe sipas Bankës së Shqipërisë kjo lidhet edhe me rrezikun e rritur që ato perceptojnë në ekonominë shqiptare. Por përtej arsyeve këto tregues dëshmojnë se teksa ekonomia përballet me mungesë likuiditeti dhe bizneset kanë tkurrur investimet se nuk kanë fonde, 1.7 miliard dollarë, kursime të shqiptarëve janë duke financuar ekonomitë e huaja. Ndërkaq kredia për ekonominë vazhdon të thellojë trendin rënës, duke frenuar investimet dhe rritjen ekonomike./TCH