Vendi ynë është i pari në Ballkan, për abortin përzgjedhës të foshnjeve kur ato janë femra. Dhe sidomos, kur janë të dytat e të tretat vajza në familje. Një fenomen alarmant dhe i rrezikshëm, që po ndodh përditë para syve tanë. Studimi i World Vision
Nga Elda Spaho Bleta
Ajo s’i ka mbushur ende 18 vjeçe dhe është për herë të dytë shtatzënë. Sërish me vajzë. Disa muaj më parë, Adrianës (ky sigurisht nuk është emri i saj i vërtetë) s’ia merrte mendja se do të bëhej kaq e fortë. Sot, për hir të fëmijës që mban në bark, e reja nga Dibra ka mësuar t’i thotë jo të shoqit, familjes së tij. Ata donin që të abortonte menjëherë, sapo mjeku u bëri të ditur gjininë e bebes. Edhe ajo vetë u mëdysh për pak kohë, sepse ishte mësuar të bindej. Pastaj një ditë gjithçka ndryshoi dhe për çudi, Adriana kuptoi se të thoshte “jo” nuk kishte qenë diçka e pamundur. I mjaftoi të mësonte disa gjëra, të gjente guxim dhe të bisedonte hapur me të shoqin.
“U martuam 3 vjet më parë, unë isha vetëm 15 vjeçe. Nuk doja, isha shumë e re dhe ëndërroja të vazhdoja shkollën. Por familja ime ishte tepër e varfër ndaj iu binda prindërve. Dasma ishte diçka e thjeshtë dhe tradicionale”, tregon Adriana. I shoqi kalonte shumicën e kohës jashtë Shqipërisë, në emigrim dhe nusja e re qëndronte në shtëpi me prindërit e tij. Kjo jetë është mëse e zakontë për vajzat si Adriana. Mësohen me të, mjafton të kenë me ç‘të rrisin dhe ushqejnë fëmijët…
“Planifikuam të dy të bëheshim prindër, edhe pse isha shumë e re. Nëntë muaj më vonë linda një vajzë të bukur të cilën e desha jashtëzakonisht shumë, që në çastin e parë. Dhe sigurisht, vazhdoj ta dua edhe më shumë”. Por bebja e vogël nuk ishte po kaq e mirëpritur nga e gjithë familja. “Kur im shoq dhe prindërit e tij morën vesh që linda vajzë, nuk u gëzuan. Nuk e dinin para lindjes gjininë e saj dhe për ta ishte një e papritur e pakëndshme. Në fund, u mësuan ta pranonin, por dukej që s’ishin të gëzuar. Gjithsesi, vjehrra më ndihmoi ta rris dhe sot vajza është 2 vjeçe e gjysmë. Gëzimi më i madh i jetës sime”.
Viti i parë i Adrianës si nënë e re ishte një nga më të vështirët e jetës së saj. Dëshironte kaq shumë që gjërat të ishin ndryshe dhe që të bijën ta donin fort të gjithë. Dhe me ç‘dukej, e vogla po ua fitonte zemrat. Me duart, këmbët, trupin e saj të vockël dhe zërin e hollë. Ajo që Adriana ende s’dinte ishte se gjithçka do përsëritej, por tani shumë më ashpër. “Isha sërish shtatzënë. Pasi kisha kaluar tre muajt e parë, mjeku më tha që bebja ishte vajzë. Ishte një goditje shumë e fortë. E dija që familja e tim shoqi s’do ta pranonte këtë fëmijë”. 17-vjeçarja i mban shumë mirë mend ato çaste të para: inatin që ndjeu për refuzimin që do merrte e bija, qysh në barkun e së ëmës. Për ftohtësinë nëpër të cilën do kalonin të dyja për një pjesë të mirës të jetës (nëse do kishte një të tillë për fëmijën). Për fjalët që asaj vetë, gruas që po lindte vetëm vajza, do t’i hidheshin nga shumëkush. Dhe ndjeu kaq shumë inat edhe ndaj vetes…
Një histori mes mijërash
Ankthin e lindjes së një vajze për herë të dytë apo të disatë, Adriana e ndan me mijëra gra në Shqipëri. Në të vërtetë, e gjithë kjo shkon përtej një ankthi të thjeshtë: shkon në abort të qëllimshëm, për shkak të gjinisë së bebes. Një studim i prezantuar vetëm disa ditë më parë, në 19 dhjetor, vërteton se heqja e fetuseve, pasi merret vesh përmes ekografisë se bëhet fjalë për vajza, është praktikë tepër e përhapur në Shqipëri. Studimi me titull “Raporti i paekuilibruar midis sekseve në lindje në Shqipëri”, kryer nga organizatat World Vision dhe UNFPA, u prezantua nga vetë Ministria e Shëndetësisë.
Shumë histori tronditëse zbulohen në faqet e tij, duke dëshmuar qartë, jo vetëm me shifra, parapëlqimin për djem dhe sesi vajzat abortohen vetëm sepse kanë këtë gjini.
“Para vitit 1990, kisha lindur dy vajza dhe nuk doja të kisha më fëmijë sepse kisha frikë mos bëja prapë vajzë. Në atë kohë nuk e merrje vesh seksin e fëmijës. Në vitin 1993, kur në Tiranë doli ekografia, unë mbeta prapë shtatzënë. Kisha prapë vajzë kështu që bëra abort kur isha 3 muaj e gjysmë shtatzënë”. Dhe kjo është vetëm njëra nga historitë.
“Unë kisha 3 vajza, pastaj kreva 4 aborte pasi doja të lindja një djalë. Bëra sërish vajzë. Do të doja ta provoja prapë, por tani jam shumë e moshuar”, vazhdon një grua nga fshatrat e Vlorës.
“Kur linda vajzën e katërt, askush nuk më erdhi për vizitë në maternitet, as bashkëshorti im. Më vizitoi vetëm familja ime”, vazhdon më tutje një nënë nga Dibra. Një tjetër, nga Bathorja e Tiranës, shton, “në të kaluarën, gratë vazhdonin të lindnin derisa të bëheshin me djalë. Sot ato mund ta shohin seksin e fëmijës nëpërmjet ekografisë dhe të abortojnë…”. Shumë gra të tjera tregojnë sesi lavdërohen nga familja nëse kanë lindur disa djem. Ndryshe nga fati i vajzës së tretë apo të katërt, që ka shumë gjasa të mbyllet me një abort, ai i djalit të katërt është padyshim jeta.
Sipas studimit, shkaku kryesor i abortit të qëllimshëm të bebeve vajza është dëshira për të patur të paktën një pasardhës mashkull në familje. Në pellgun e Ballkanit, një nga zonat më problematike ndërkombëtarisht, Shqipëria zë vendin e parë për këtë tregues, ndjekur nga Maqedonia Veriperëndimore. Rajone të tjera problematike janë ai aziatik (Kina, Koreja e Jugut, India dhe së fundmi Vietnami), ai i disa vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik (Kaukazi jugor) dhe i treti në Ballkan (Shqipëri, Maqedonia veriperëndimore, Mali i Zi, Kosova).
“Për prindërit ishte shumë më e rëndësishme të kishin në familje një djalë sesa një vajzë. Kjo sjellje e fertilitetit – ilustrim i qartë i preferencës për djem – u vu re në mbarë vendin. Por ashtu si tregohet edhe nga të dhënat e Raportit të Sekseve në Lindje (Sex Ratio at Birth), ky parapëlqim për fëmijë djem është përkthyer në 15 vitet e fundit në një eliminim të lindjeve të femrave nëpërmjet përzgjedhjes së seksit para lindjes, pra abort përzgjedhës”, thuhet në studim.
Përveç shifrave të marra nga INSTAT, Census 2001, ai 2011 si dhe nga rregjistrimet e lindjeve, përveç thënieve të dhjetëra grave e burrave, në studim gjenden, pa emra, deklaratat e shumë mjekëve gjinekologë. Të treguara prej tyre, ethet (sidomos ato të baballarëve) për të marrë vesh gjininë e bebeve, duken edhe më dramatike. “Në të vërtetë rreth 40-50% e vizitave të shtatzanive vijnë vetëm në fillim të tremujorit të dytë. Ti përpiqesh kaq shumë me kapacitetet diagnostikuese që ke në dispozicion, kurse ata të rrinë mbi kokë si çekiç dhe të pyesin: Çfarë është? Çfarë është? Në fillim u tregoj zemrën, pastaj seksin e bebes dhe dua të vazhdoj ekzaminimin, por atyre nuk u intereson më”, thotë një gjinekolog, specialist i teknologjisë me ultratinguj. Një tjetër tregon sesi një burrë i kishte shkuar në klinikë me gruan e vet. “Iku menjeherë sapo dëgjoi se fëmija që prisnin ishte vajzë. Për të shoqen ishte shtatzënia e tretë, pas dy vajzave. Ai iku nga klinika dhe e la gruan atje, vetëm…”.
Në shumë raste, kaq e madhe është vetëdija e mjekëve se ç‘do ndodhë me fetusin e gjorë të bebes vajzë që po shohin në monitor, saqë shpesh ata zgjedhin të mos e tregojnë seksin e saj. “Unë jam i vetmi gjinekolog në qytetin tim që nuk pranon ta tregojë gjininë e fëmijës, madje njëherë kalova një situatë goxha problematike”, dëshmon njëri prej tyre në faqet e studimit. Por kjo, me shumë gjasa, është një shpëtim i përkohshëm i vajzës së palindur. Çiftet i drejtohen menjëherë një mjeku tjetër…
Meqënëse gjinia e fetusit dallohet qartë vetëm pas muajit të tretë të shtatzanisë, këto aborte ndodhin pikërisht atëherë. Ndërkaq fëmija ka nisur të marrë trajtat njerëzore dhe heqja e tij (përveç pjesës morale të çështjes) do sillte probleme pa fund për gruan. Abortet pas tremujorit të tretë të shtatzanisë janë të paligjshme në Shqipëri, përveç rasteve të veçanta (gjendja mjekësore delikate e nënës ose situatë shumë të rënduar ekonomike në familje). Për çdo rast ngrihet një komision me tre vetë, anëtarët e së cilit janë mjekë gjinekologë e punonjës socialë. Gjithsesi, abortet e bebeve femra vazhdojnë të ndodhin me shumicë, fshehurazi, pas muajit të tretë.
Çekuilibrimi i së ardhmes
Sipas studimit, abortet e qëllimshme të vajzave kanë bërë që në Shqipëri raporti i lindjes së meshkujve të arrijë një mesatare prej 111.7 për 100 lindje vajzash, për periudhën 2008 – 2010. Ndërkaq, norma botërore është 105 lindje djemsh për 100 lindje vajzash dhe studimi vërteton se ky ekuilibër në Shqipëri është prishur pikërisht për shkak të shtimit të rasteve të abortit përzgjedhës. “Ndikimi i përzgjedhjes së seksit para lindjes në popullsinë e Shqipërisë është zakonisht i pakthyeshëm sepse niveli natyror i vdekshmërisë e rregullon vetë mungesën e ekuilibrit të raportit gjinor”, thuhet në studim. E shpjeguar thjesht, raporti normal botëror është 105 lindje meshkujsh për 100 femra. Djemtë e kanë më të lartë vdekshmërinë në vitet e para të jetës dhe, për më tepër, gratë kanë jetëgjatësi më të lartë. Kjo sjell ekuilibrin e plotë natyror mes të dyja gjinive, në moshë të rritur. Ndërkaq, tejkalimi me thuajse 7% i kësaj norme në Shqipëri, do shkaktojë probleme në të ardhmen e afërt. Pas jo më shumë se 20 vjetësh, “mungesa e ekuilibrit midis popullsisë së rritur do të ndikojë sistemin e martesës, duke shkaktuar një deficit të dukshëm të femrave në moshë për martesë. Emigrimi i meshkujve jashtë vendit dhe imigrimi i femrave janë të vetmit faktorë rregullues të këtij çekuilibrimi. Teprica e meshkujve mund të ketë pasoja negative si për meshkujt edhe për femrat për sa i përket beqarisë së detyruar, dhunës gjinore etj”.
Gjithsesi, ka shpëtim. Përtej ndalimit mjekëve për të treguar gjininë e fëmijës pas muajit të tretë të shtazanisë (ide e hedhur vazhdimisht së fundmi në Shqipëri) apo dënimit të fortë të atyre që kryejnë aborte të paligjshme. Të gjitha këto me gjasë thjesht do ta rrudhnin përkohësisht problemin. Studimi i beson më shumë ndërgjegjësimit më të madh të njerëzve mbi të drejtat e barabarta mes vajzave dhe djemve, ndryshimi i qëndrimeve ndaj pasardhësve pavarësisht seksit. Të vështira, por jo të pakalueshme. Dhe këtu pjesa më e rëndësishme, për shkak të audiencës së gjerë publike, i është besuar medias. Dhe sigurisht shoqërisë civile.
Sërish tek Adriana…
Historia e vajzës së dytë të Adrianës, për fat të mirë, nuk do bëhet pjesë e shifrave të aborteve të qëllimshme. Edhe pse, shpëtimi prej këtij fati, thuajse të sigurt në fillim, nuk ishte i lehtë.
“Gjatë shumë ditëve, im shoq më përsëriste pa pushim: duhet ta abortosh fëmijën. Ç’do mendojnë të tjerët për mua, një baba vetëm me vajza? Madje shkoi deri aty sa kërcënoi të më braktiste”. Adriana s’mund të mohojë që nuk u tremb. “E dija që aborti ishte gabim, por njëkohësisht frikësohesha kur mendoja se ç‘do ndodhte me mua dhe dy vajzat e mia nëse braktiseshim. Më vinte shumë keq për prindërit e mi sepse ishin shumë të varfër dhe unë s’mund të kthehesha aty”.
I shoqi këmbëngulte dhe shtatzania e dytë ishte kthyer në një mollë të vërtetë sherri. Ajo që e shqetësonte më shumë burrin e ri ishte mënyra sesi do ta shihnin të tjerët dhe Adriana nuk dinte ç‘t’i thoshte në këtë pikë. “Unë nuk dija si të flisja me të dhe as me prindërit e tij. Nuk isha e përgatitur, nuk dija si t’u shpjegoja me fakte se ky ishte një gabim, një krim ndaj një fëmije krejt të pafajshëm. Kalova ditë shumë të vështira dhe zemra ime ishte e mbushur plot me hidhërim”. Një ditë, krejt rastësisht, gruaja e re dëgjoi se në fshat do bëhej një trajnim i shkurtër nga World Vision. Bëhej fjalë për “Vitin e familjes”.
“Atë ditë, një infermiere na foli të gjithëve për problemet e abortit. Nuk e di nëse ishte rastësi, por dukej sikur kishte ardhur posaçërisht për mua. Mësova për komplikimet që vijnë pas një aborti, mësova pse bebet vajza nuk trajtohen si të barabarta me djemtë në zonën tonë dhe sesi ne, nënat, duhet të silleshim në këto raste. Ishte e para herë që dëgjoja fjalë, mendime të tilla. Më dhanë fuqi, kuptova se më takonte të luftoja për jetën e fëmijës sim. Nuk do t’i harroj kurrë ato që mësova atë ditë”, tregon nëna e re me sytë që i shkëlqejnë. Atë natë, biseda për fëmijën e dytë u hap përsëri, por këtë herë nga Adriana. Gjatë darkës, ndërsa hanin, pasi kishte renditur për orë të tëra në mendje fjalët që do thoshte, 17-vjeçarja i tha të shoqit me një zë të qetë. Nuk do ta heq fëmijën. Edhe nëse do na braktisësh. Sot mësova sa e çmuar është jeta e saj dhe nuk do lejoj të vdesë vetëm ngaqë ti do doje të ishte djalë. Do t’i rris vetë dy fëmijët e mi, edhe sikur të më lësh. Ajo s’ka asnjë faj dhe unë do ta mbroj gjithnjë!
Për çudi, i shoqi nuk tha asnjë fjalë. Ditë pas dite, ai i hapi gjithnjë e më shumë rrugë vendimit të së shoqes, e cila, krejt papritur, i kishte thënë gjëra që ndoshta atij vetë s’i kishin shkuar kurrë në mendje. Vendosën ta mbanin fëmijën dhe kjo histori, kjo luftë, ndoshta e para në jetën e Adrianës, nuk solli vetëm shpëtimin e një jete. Por edhe pjekurinë e një gruaje. E një nëne. “Jam kaq e lumtur që pata forcën t’i them hapur mendimet e mia, që luftova për time bijë. Sot jam në muajin e nëntë të shtazanisë dhe të dyja gëzojmë shëndet të plotë. Dua që të dyja bijat e mia të rriten të lumtura, të arsimohen, të ndjekin ëndrrat e tyre. Nëse do ta kisha pranuar abortin, bashkë me vajzën, do kisha vrarë përgjithnjë edhe shpirtin tim”. (Revista Klan)
perralle e bukur kjo e Adrianes
po perralle mbetet
E papranueshme,injorance totale.femijet jane njesoj si vajze edhe djale.shqiptaret kujtojne se me djalin brenda jane te sigurt por nuk eshte e vertet.kur ngelet i paralizuar njeriu ne krevat sherbimin ta bene me mire vajza sesa nusja e djalit.me lejoni tu kujtoje nje thenie te nje burri nga vlora qe kish nje djale te vetem,dhe tha:kur isha i vogel me rrihte babai,sot ne demokraci me rreh djali ,une nuk rrahva asnje ne kete jete.
imagjinoni sikur ai”djale” te ngjante me korraket Hajriun,plakun,ziken…..fatale!!
GEZUAR KRISHTLINDJEN gjithe kristianet shqiptare!
Kala Xristougenna , Toyrkofago !
XRONIA POLA kai se sena
http://www.youtube.com/watch?v=cOyQU6D76d8
Mentalitet qe vjen nga e shkuara kur vajza vuante nga trajtimi prej skllaveje qe i behej, ndersa ne perendim sot te jesh vajze eshte fat sepse je nje njeri i mbrojtur nga ligji, familja dhe xhentilesa mashkullpre…do te vije edhe tek ne, kjo varet se pari nga solidariteti femeror dhe modelimi i vajzes ne familje e shkolle
A beson se vertet keta muxhahedine shqipfoles do ti bashkangjiten evropes kristiane,njekohesisht te sjellin edhe respectin per femren,nenen,gruan,motren…..ne nje kohe kur keta i therrin duke i prere koken apo hedhur nga ballkoni…!!!!!
http://www.youtube.com/watch?v=fyb3_4XD2Ho
me vjen keq per rastet e tilla por o shqiptare nese i mbysim te gjitha vajzat kush do ti linde djemet tane kush do te lind trima te rinje apo na mjaftueka se dikur kemi pasur, per mua ky aborte eshte shum i denueshem dhe i pakuptueshem.