Dikur merrnin ilaçe, tani mund të ushqehen, shpejt, lirë e mirë. Farmacia e qytetit në Skënderaj, një aset i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, tanimë është shndërruar në lokal për ushqim të shpejtë, i ashtuquajtur Fast Food.
Drejtues të QKMF-së dhe të shëndetësisë së Skënderajt, të cilët më herët këmbëngulnin dhe ishin shumë të “nxehtë” në deklarimet se objekti ku ndodhej farmacia ishte aset i tyre, tani sillen “ftohshëm”. Ata madje nuk “dinë” as kush e ka rinovuar lokalin dhe kush punon në të, përveçse thonë se farmacia është çështje e padefinuar.
Drejtori i QKMF-së, dr. Fazli Kadriu, i cili më heret këmbëngulte se farmacia e qytetit, në të cilën punonin 8 punëtorë, e të cilët deri në vitin 2002 ndodheshin në listën e pagave të punëtorëve të QKMF-së, tani pohon se çështja pronësisë mbi këtë objekt është e padefinuar.
Sipas tij, në vitin 2002, Korporata Farmaceutike e Kosovës, në marrëveshje me QKMF-të, i kishte ndarë farmacitë nga QKMF-të, për t’i kaluar ato te KFK-ja, por ajo ka zgjatur vetëm dy vjet, ndërkohë që në majin e vitit 2005, KFK-ja ka dalë nga marrëveshja dhe farmacitë me gjithë punëtorët i janë kthyer QKMF-së, ndonëse QKMF-ja në Skënderaj më nuk i kishte pranuar punëtorët, por i kishte lejuar që ata të punojnë privatisht.
Në anën tjetër Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte kërkuar nga QKMF në Skënderaj dëshmi nëse farmacia e qytetit është pronë e tyre, duke pretenduar se ajo i takon AKP-së dhe se ka të drejtën edhe që ta privatizojë.
Në një shkresë të dërguar në DSHMS dhe në QKMF, AKP-ja ka kërkuar ta definojë statusin e këtij objekti, i cili përherë ka qenë pjesë e QKMF. Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenise Sociale në Skënderaj, nëpërmes të drejtorit, dr. Osman Veliu, i është përgjigjur AKP-së në kërkesën për statusin e farmacisë./Zeri