Në këtë raund është hapur diskutimi për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës. Kryeministri i Kosovës Thaçi thotë se Kosova do të “respektojë vullnetin e qytetarëve në veri që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”. Ndërkaq kryeministri i Serbisë ka thënë se “Serbia nuk e njeh Kosovën, por përkohësisht respekton territorin e saj”.
Raundi i katërt i dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, i filluar më datën 17 janar në mbrëmje, kishte hyrë edhe në ditën e premte, duke përfunduar pas orës një të mesnatës. Ishte ky raundi më i gjatë deri më tani dhe, sipas diplomatëve të BE-së, kjo ka qenë pikërisht për shkak se është biseduar për temën jashtëzakonisht të ndjeshme, siç është ajo e veriut të Kosovës.
Pas këtij takimi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është “më optimist sesa herëve tjera se do të ketë përparim në ndërtimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Biseduam për çështjet për të cilat ishim dakorduar edhe më herët, për përmbylljen e implementimit të plotë të Marrëveshjes së IBM-së. Natyrisht, tash doganat do të paguhen sipas standardeve që ka caktuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, tha kryeministri Thaçi. I pyetur nga “Koha Ditore” se a do të paguajnë edhe serbët e Kosovës tash e tutje doganat dhe ku do të shkojnë ato mjete, Thaçi vetëm u përgjigj: “Gjithçka do të jetë me ligjet e Kosovës”.
Autonomi e plotë për serbët në Kosovë, me udhëheqje të drejtpërdrejtë nga Beogradi – por si banorë të shtetit të Kosovës.
Ec e mbushja mendjen votuesit të qeverisë nga Prishtina se kjo nuk është pavarësi, por tradhti ndaj popullit shqiptar në Evropë!