Çelsi ka arritur një fitore shumë të rëndësishme 2-1 në derbin kundër Arsenalit, duke mbajtur ritmin e skuadrave të kreut dhe sidomos duke mbajtur larg një kundërshtar që lufton për klasifikimin mes 4 më të mirëve në kampionat.
Në një ndeshje emocionuese që në minutat e para, Çelsi ka gjetur shpejt golin me anë të Huan Mata, i cili ka shfrytëzuar një kundërsulm të shpejtë për të dërguar topin në rrjetën e “topçinjve” në minutën e 6-të. Vetëm 10 minuta më vonë, është Lampard që dyfishon rezultatin me penallti, duke thjeshtësuar shumë ndeshjen e Çelsit që priste më shumë rivalitet në këtë sfidë.
Por nëse në pjesën e parë Arsenali është shfaqur disi i përgjumur, në pjesën e dytë ka shpalosur një lojë krejtësisht ndryshe duke dominuar në fushën e lojës dhe duke krijuar më shumë raste para portës së Çeh. Si rrjedhojë e kësaj trysnie, në minutën e 58-të ka ardhur edhe goli i Teo Uollkot që ka shkurtuar diferencën, duke bërë që Arsenali të hidhej krejtësisht në sulm.
Por pavarësisht insistimit të miqve, Çelsi ka rezistuar duke marrë këtë fitore shumë të rëndësishme që çon përsëri në 6 pikë diferencën nga Mançester Siti i vendit të dytë, ndërsa skuadra e Venger mbetet në vendin e 6-të në renditje./lajmeshqip