Ndërsa pretenca për gjyqin e 21 janarit do të jepet më 30 janar, pakkush mendon se Gjyqi do të kthejë të vërtetën për të vrarët e masakrës. Për familjarët, faji quhet Berisha dhe Basha e pastaj të pandehurit, që me sa duket do të kenë dënime të lehta; kurse për avokatët e familjeve, çështja shpejt do të shkojë në Strasburg, në vendin, ku të paktën Gjykata e të Drejtave të Njeriut, do ta shikojë si duhet çështjen. Ironia deri më tani ishte se familjarët duhet të paguanin shuma marramendëse për ta, në mënyrë që të merrnin akses në dokumente, që s’i morën dot kurrë, duke i nëpërkëmbur realisht…
Nga Ben Andoni, JAVA
Të hidhëruar, të nëpërkëmbur, të ngatërruar, të varfëruar dhe të lënë krejt në kaos. Pak a shumë, ky është identikiti shpirtëror, i kujtdo prej familjarëve të viktimave të 21 Janarit, që sot pas dy vjetësh kërkon më kot të drejtën e mohuar të vrasëseve të vërtetë. Dhe, në të vërtetë, duhet të jesh optimist i çmendur të besosh se konkluzionet e prokurorisë më 30 janar, do të jenë të mjaftueshme për të dënuar të pandehurit e 21 Janarit 2011. Dy vjet më pas, gjykata shqiptare është futur në një rrëmujë, që familjarët e quajnë kaos juridik dhe që mjafton bashkë me ekspertizat që kundërshtonin njëra-tjetrën që të pandehurit mos të rëndohen.
Në këto ditë, teksa të pandehurit po numërojnë me countdown orët e lirimit, familjarët po mendojnë hapat e mëtejshëm ta përcjellin çështjen direkt në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Anipse se edhe kjo është fare pak për familjarët e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës, që atë ditë erdhën me turmën për të protestuar dhe nuk u kthyen më kurrë në shtëpinë e tyre. Ndryshe nga akuzat e frikshme të kryeministrit dhe njerëzve të vet ndaj viktimave dhe protestuesve, as edhe një prej tyre s’kish pasur probleme me Drejtësinë përveç problemit të madh që kanë sot të gjithë shqiptarët dhe që lidhet me varfërinë.
Nëpërkëmbja
Familjarët që kanë kërkuar drejtësinë në gjyqin e 21 janarit kanë pasur probleme nga më të çfarëdollojshmet me autoritetet. E para dhe kryesore ka qenë çështja e eksesit. Kërkesa e tyre ose “e drejta për të pasur akses në dosjen e hetimit dhe marrjen e provave, i njihej vetëm të dëmtuarit (pra viktimave, të vrarëve në dt. 21 janar) dhe jo trashëgimtarëve. Menjëherë iu drejtuam gjykatës sipas afatit kohor parashikuar në Kodin e Procedurës Penale, afati 5 ditor, por kjo kërkesë nuk u mor në konsideratë nga ky organ sepse ndërkohë përmbajtja e dosjes ishte bërë publike, duke qenë se tashmë hetimet ishin mbyllur dhe çështja ishte dërguar gjykatës për gjykim”, thotë Andi Kananaj, një nga avokatët e çështjes. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, familjarëve të viktimave të 21 janarit, u kërkohej të paguanin për të pasur akses në gjykatë, përveç taksës prej 12 000 lekësh të reja dhe 3% të vlerës së dëmshpërblimit të kërkuar prej tyre. Shuma, të cilat jo vetëm ata, por madje edhe shumë shqiptarë , nuk do të mund ta paguanim dot. Megjithatë rebusi ende nuk mbaron këtu. Çështjen e ka ngatërruar pa fund politika dhe mbrojtja direkte që i ka bërë kryeministri, por edhe ekspertizat e ndryshme teknike që kundërshtonin njëra-tjetrën.
Komisioni
Në një vend demokratik, çështja do të futej në hulli, me ngritjen e një komisioni dinjitoz. Në rastin e parlamentit shqiptar, komisioni hetimor parlamentar, i cili mori mandat për 21 Janarin dhe për një tjetër vit, iu la në dorë atij që do gradohej prej këtij komisioni në karrigen e ministrit aktual të Drejtësisë, z. Eduart Halimi. Që prej tij dhe deri tek kryetari i ri i sotëm, ish-zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri kanë rrjedhur fare pak ujëra. Por, ndërsa të parit, drejtimi i komisionit me akuzat qesharake e ngjiti në poltronin e ministrit, të dytit nuk po i jep asnjë lloj impakti. Tabulatet e kontrolluara, akuzat, etj., sot janë shfryrë turpshëm. Analizat e mëvonshme nxorën se arrestimet lidheshin kryesisht me mosha të reja, kurse të rinjtë deri në moshën 34 vjeç do përbënin 74 për qind të të arrestuarve, sipas një analize botuar te JAVA, pak kohë më parë. Por pati dhe kalimtarë të rastit që u dënuan, për të mos thënë se u evidentuan plot 35 qytetarë të keqtrajtuar nga policia dhe ndryshe nga pretendimet e qeverisë shumë prej protestuesve nuk ishin të paarsimuar, siç pretendohej. Dhe, ajo që nuk u tha kurrë, ishte më e pastra: shumica e atyre që kishin dalë në protestë ishin detyruar nga varfëria, papunësia, korrupsioni dhe padrejtësitë e mëdha sociale.
Strasburgu
E megjithatë, ky komision dhe i gjithë aparati i shtetit, ka bërë gjithçka që gjyqi të futej në qorrsokak dhe për t’i lënë familjet e viktimave të nëpërkëmbura. Ndaj, ata po përgatiten që t’i drejtohen GJEDNJ-së në Strasburg. “Hap i detyruar ky, aty ku drejtësia nuk funksionon njëlloj për të gjithë. Procesi gjyqësor për viktimat e 21 janarit do të mbarojë sipas asaj që është tashmë një routine për sistemin e drejtësisë shqiptare dhe ne do të vazhdojmë”, thotë Andi Kananaj, avokati i familjarëve. Kurse, avokati Nika, i afërmi i njërit prej të vrarëve, e shtyn ‘ndryshe’ arsyetimin e tij:“Të gjitha ne familjet po e ndjekim me kujdes procesin ndaj të pandehurve të kësaj çështje. Unë personalisht mendoj se gjykata është duke lejuar avokatët që të krijojnë një konfuzion juridik, duke e dobësuar procesin me anë të shfrytëzimit të këtij kaosi juridik të përcjellë nga kryeministri Berisha dhe në atë kohë dhe nga ministri Nishani, i cili më vonë për këtë do të shpërblehej me pozicionin e presidentit të vendit. Gjykata, në këtë fazë, nuk është duke punuar për zbardhjen e të vërtetës. Po bën xhambazllëqe juridike duke përdorur kërkesat formale kundër vetë ligjit. Kjo po shkon deri aty, saqë e kanë kthyer atë në një cirk duke lejuar të kthehet e vërteta në një gënjeshtër juridike”.
Një nëpërkëmbje e pastër e këtyre njerëzve, që tash dy vjet mbetën në dyert e Gjykatave duke kërkuar më kot shpagim dhe vënien e drejtësisë së munguar në vend. Atë drejtësi, për të cilën sot, shqiptarët i japin notat më të ulëta të vlerësimit dhe etiketojnë me të drejtë si një nga shkaktaret e kësaj gjendje të frikshme, ku ndodhet sot, shoqëria shqiptare.
Kananaj, avokati i familjeve: Nuk na mbetet gjë veç Ankesës në Strasburg
Njëri prej avokatëve të familjeve, pjesëtarët e të cilëve u vranë më 21 Janar është i bindur se verdikti i këtij gjyqi nuk do të ndryshojë asgjë nga ajo që pritet. Ndaj, Andi Kananaj shprehet se rruga e mbetur për familjarët që janë nëpërkëmbur deri më tani, mbetet vetëm trokitja në dyert e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Familjarët e të vrarëve të 21 janarit janë duke u përballur me një rebus shumë të ngatërruar në lidhje me çështjen e vrasjeve të të afërmeve të tyre. Pse nuk kanë akses më të shumtë dhe më të qartë në dokumentacionin e kësaj ngjarje?
“Ky rebus, ose pamundësi aksesi në drejtësi, se për këtë flitet, paraqitet në dy momente kyçe, i pari lidhet me momentin e indiferencës që na detyruan, në rastet në fjalë t’i drejtohemi Gjykatës të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ne i jemi drejtuar Prokurorisë, në momentin e parë, për të pasur akses dhe për t’u njohur me dokumentacionin e dosjes të hetimit mbi çështjen në fjalë. Sistemi, lidhur me këtë mundësi, nuk parashikon afate kohore të qarta në lidhje me përgjigjen nga ana e Prokurorit. Nisur nga kjo mangësi, ky organ e shfrytëzoi në maksimum kohën, por përgjigjja mbërriti e vonuar. Ky organ, ku shprehej kjo e drejtë, pra e drejta për të pasur akses në dosjen e hetimit dhe marrjen e provave, i njihet vetëm të dëmtuarit (pra viktimave, të vrarëve në dt. 21 janar) dhe jo trashëgimtarëve. Menjëherë iu drejtuam gjykatës sipas afatit kohor parashikuar në Kodin e Procedurës Penale, afati 5 ditor, por kjo kërkesë nuk u mor në konsideratë nga ky organ sepse ndërkohë përmbajtja e dosjes ishte bërë publike, duke qenë se tashmë hetimet ishin mbyllur dhe çështja ishte dërguar gjykatës për gjykim. Momenti i dytë, është dhe momenti më emblematik përsa i përket të drejtës e aksesit në gjykatë, çështje për të cilën jemi akoma në pritje të vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Familjarëve të viktimave të 21 janarit, u kërkohet të paguajnë për të pasur akses në gjykatë, përveç taksës prej 12 000 lekësh të reja, edhe 3% të vlerës së dëmshpërblimit të kërkuar prej tyre. Flitet për shuma që jo vetëm ata, por shumë shqiptarë , madje as unë e as ti, nuk do të mund t’i paguanim dot. Ana dhe Klajdi Veizi, duke qenë se janë minorenë gjenden nën kujdestarinë e të ëmës së tyre, përfaqësuar prej saj; dhe ashtu si dhe vëllezërit e Zabit Deda dhe Çaush Veizi, panë t’u mohoj kjo e drejtë sepse nuk kanë mundësi të paguajnë shumën në fjalë. Flitet për 6 milionë lekë të vjetra, një shumë e konsiderueshme për shumicën e familjeve shqiptare. Pra, për këto arsye ne kemi parë si të vetmen rrugë t’i drejtohemi GJEDNJ-së Strasburg”.
Ka një përplasje të vazhdueshme dëshmish të ekspertëve të çështjes. A duket se kjo përbën një dukuri të qartë se ky gjyq do të ketë fundin e gjyqit të Ilir Metës?
“Ndjesia që do të jetë kështu është e fortë, duke pasur parasysh dhe precedentët e së kaluarës jo shumë të largët. Në rastin e z. Lulzim Basha, çështja u mbyll për arsye procedurale. Për të njëjtat arsye u mbyll dhe çështja e z. Ilir Meta. Po ashtu dhe çështja e z. Dritan Prifti. Pra, duke pasur parasysh këto raste, në të cilat drejtësia nuk u lejua të bënte rrugën e saj për arsye procedurale, le t’i quajmë mangësi në veprimin e sistemit të drejtësi. Kemi parasysh organet e drejtësisë dhe jo vetëm ligjet, ndaj ndjehem i detyruar të nënvizoj faktin se pyetja ka më shumë karakter retorik. Përgjigjen e keni dhënë ju vetë sepse të gjithë, dhe ju gazetarët për më tepër që merreni me këto çështje, e kemi të gjithë mëse të qartë se diçka nuk shkon me mbarëvajtjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”.
A ka një kaos juridik të krijuar nga avokatët e të pandehurve, për ta ngatërruar dhe më shumë çështjen?
“Nisur nga fakti që ne nuk jemi pjesë në procesin penal, s’jemi në gjendje, ose më mirë nuk shohim arsye të gjykojmë mbi veprimtarinë e avokatëve të të pandehurve. Ajo çka duhet theksuar dhe që është akoma dhe më e rëndësishme, që ne nuk shohim në bankën e të akuzuarve personat drejtues të organeve të policisë dhe Gardës, operativët e të cilëve kanë vepruar atë ditë. Le të themi që për një moment jemi të gatshëm të kuptojmë presionin dhe stresin me të cilin duhet të jenë përballur efektivët atë ditë. Nga njëra anë turma dhe nga tjetra presioni i ushtruar nga drejtuesit, të cilët lëshonin urdhra pa fund. Këta të fundit, personat përgjegjës për urdhrat, përgjegjësi që u njihet me ligj dhe me të cilën ata duhet detyrimisht të përballen, nuk janë në bankën e të akuzuarve. Ky fakt duhet të na shqetësojë, pasi është në një këndvështrim të thellë tregues që ka një vullnet për ta mbyllur këtë çështje pa u lejuar që më në fund në këtë vend të bëhet drejtësi”.
Si i shikoni hapat e mëtejshëm të familjeve përballë këtij realiteti?
“Siç e thashë dhe më sipër, ne i jemi drejtuar GJEDNJ-së në Strasburg. Hap i detyruar ky, aty ku drejtësia nuk funksionon njëlloj për të gjithë. Procesi gjyqësor për viktimat e 21 janarit do të mbarojë sipas asaj që është tashmë një routine për sistemin e drejtësisë shqiptare por ne do të vazhdojmë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi, aty ku drejtësia vihet në lëvizje dhe vepron në bazë të parimeve dhe rregullave të konsoliduara dhe vërtet demokratike, gjë që mesa po shohim prej vitesh nuk duket të vlejë dhe në Shqipëri. Ne, si juristë dhe avokatë, nuk mund të ushqejmë iluzione të kotë por duhet të kërkojmë dhe të rrahim çdo rrugë të mundshme në mënyrë që e drejta për të pasur akses në sistemin e drejtësisë, për të pasur akses në gjykatë, t’u garantohet dhe familjarëve të viktimave të 21 janarit. Dhe, për më tepër, kjo vlen për familjarët e viktimave të Gërdecit, e për çdo shqiptar të cilit i është dashur dhe do t’i duhet fatkeqësisht të ndeshet një ditë me murin e shurdhët të sistemi të drejtësisë shqiptare”.
Mark Nika: Berisha dhe Basha, u sollën si frikacakë
Avokati Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, njërit prej viktimave të 21 janarit është i drejtpërdrejtë: Ky gjyq është një farsë dhe neve nuk presim asgjë prej tij…
Si e shikoni gjyqin tanimë, që ai po i drejtohet fundit?
“Gjyqi ndaj masakrës së 21 Janarit është duke u kthyer në një farsë. Është në vitin e dytë të tij, po aq sa na ndan si kohë edhe me vdekjen e birit tonë Aleks Nika. Vajzat e kërkojnë më kot, por ai nuk është më, madje duan t’i prishin dhe kujtimin e bukur para syve të fëmijëve të vet. Erdhi në Tiranë sepse ishte i varfër dhe nuk erdhi vetëm për të protestuar për familjen e vet. Ishte për të protestuar për familjen e vet dhe për të gjithë varfërinë. Ne jemi prej asaj dite në zi të përjetshme për të, ashtu si janë në zi edhe të gjithë familjet e njerëzve të vrarë të 21 janarit. Është një gjyq që nuk po mbyllet kurrë dhe me sa duket po e përcjell verdiktin e vërtetë të kësaj çështje në kalendat greke. Kryeministri Berisha dhe ish-ministri Basha i veshi familjet me zi të përjetshme. Vetëm se fakti dikton që edhe pse sado e fshehin të vërtetën nuk mund ta mbyllin kurrë dosjen e fajit mbi këta të pafatë. Berisha dhe Basha janë sjellë me paturpësi dhe si frikacakë, sepse fill pasi fshehën krimet po përpiqen të manipulojnë dhe provat”.
Si e gjykoni këtë proces?
“Të gjitha ne familjet po e ndjekim me kujdes procesin ndaj të pandehurve të kësaj çështje. Unë personalisht mendoj se gjykata është duke lejuar avokatët të krijojnë një konfuzion juridik, duke e dobësuar procesin me anë të shfrytëzimit të këtij kaosi juridik, të përcjellë nga veprimet e kryeministrit Berisha dhe në atë kohë dhe nga ministri Nishani, i cili më vonë për këtë do të shpërblehej me pozicionin e presidentit të vendit. Gjykata, në këtë fazë, nuk është duke punuar për zbardhjen e të vërtetës. Po bën xhambazllëqe juridike duke përdorur kërkesat formale kundër vetë ligjit. Kjo po shkon deri aty, saqë e kanë kthyer të gjithë procesin në një cirk duke lejuar të kthehet e vërteta në një gënjeshtër juridike (Fjala është për ekspertët). S’ka rëndësi fare sesi ndihemi, kur dëgjojmë këto gjëra që ndodhin. E rëndësishme është se ekspertët e vërtetë profesionalë e kanë thënë hapur se vrasësit kanë qëlluar direkt dhe në mënyrë selektivë tek njerëzit”.
Si e konsideroni këtë gjyq?
“Ky gjyq është duke ardhur në pozitën, e konsideruar e ngjashme me gjyqin e Ilir Metës. Po kështu edhe prokuroria nuk e ka realizuar detyrën . Në rastin e Aleksit çështja është pezulluar dhe ndiqet nga policia, por me sa dihet sot, policia është vetë palë. Dhe duket që dosja shpejt do të jetë në arshivë. Mbyllja e këtij gjyqi, pa verdiktin e duhur, do jetë një gabim i vërtetë historik. Ndaj, akuza jonë është se ky është një gjyq formal dhe farsë…”.
Asgje te re nuk ka tek ky lajm.Jemi ne hapsiren kozmike te dominuar nga Sali Berisha.Jo vetem qe eshte neperkembur 21 janari,por sipas tyre s’ka pasur 21 janar,s’ka pasur vrasje,ka pasur vete 200 kokpalare qe donin te rrezonin ATE.
A denohej per korrupsion dhe vjdhje me “firme te rregullt” djali i Mubarakut po te ishte ne pushtet i ati???
Ne keto procese do shkoj dhe sulltani ne pushtet dhe familja e tij sot. Do jete aq e vertete kjo qe them une, sa do ju duket gati e rendomte.