Këshilli i Evropës, hapi i parë konkret drejt pranimit të Kosovës

22 Janar 2013, 20:31Rajoni TEMA

Pas një debati dyorësh, Këshilli i Evropës ka miratuar një rezolutë që ka për rekomandim kryesor vënien e kontakteve direkte ndërmjet Këshillit të Evropës dhe Kosovës, që është hapi i parë drejt pranimit të shtetit në këtë organizatë. Votat kanë qenë në raport 115-11, raporton gazetari i KTV-së në Strasburg, Xhemajl Rexha.

Rezoluta erdhi si pjesë e raportit të deputetit suedez, Björn von Sydow, që propozoi se është koha e fundit që Kosova të përfitojë më shumë nga programet për të drejtat e njeriut të kësaj organizate. Në raport, Sydow sheh si problem moszbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, shpreh shqetësim për mosluftimin e mjaftueshëm të krimit të organizuar e korrupsionit si dhe për lirinë e medies.

Para se të japë rekomandimet e tij e të flasë për disa përparime, Sydow ka thënë se Kosova është vend i lodhur, me gjysmën e popullatës të papunë dhe me korrupsionin e shtrirë kudo. Shumica e folësve i kanë dhënë përkrahje Kosovës dhe zhvillimeve në të, duke kërkuar më shumë angazhim në disa fusha. Serbia ka kërcënuar me lëkundje të dialogut me Kosovën, nëse shkohet përpara me planin për afrimin e Prishtinës tek një anëtarësim i mundshëm në Këshillin e Evropës. Vetëm përfaqësuesi i Rusisë, dhe një e Greqisë kanë përkrahur Serbinë në kërkesën e saj për të ndaluar këtë hap.

Përkrahjen më të fortë Kosovës i kanë dhënë përfaqësues të Gjermanisë, Francës e Turqisë, kurse Ermira Mehmeti – Devaja e BDI-së në Maqedoni ka qenë e vetmja që ka ngritur çështjen e tensioneve në Preshevë.

Debatin e kanë ndjekur deputetët e Kuvendit, Hydajet Hyseni dhe Vjosa Osmani, që kanë marrë pjesë në një sesion të mbyllur me Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci, që edhe e ka prezantuar Rezolutën./KD

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje