Ka nisur solemnisht punimet në Prishtinë Kongresi i Përgjithshëm i PDK-së, në të cilin nuk do të marrin pjesë disa nga figurat kryesore të partisë. Përveç nënkryetarit të parë, Fatmir Limaj, i cili ndodhet në burg, mospjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Jakup Krasniqi. Në kongres nuk do të marrë pjesë as Hydajet Hyseni, ndërsa edhe anëtarë të tjerë të kryesisë kanë dilema nëse do të marrin pjesë.
Analistët kanë deklaruar disa herë se ky kongres mund të çojë deri tek çarja e madhe e partisë më të madhe në vend, transmeton KTV. Kryetari aktual Hashim Thaçi nuk ka rival në garën për kryetar. Gjatë punimeve pritet të bëhen ndryshime në statut dhe në program. Një prej tyre, është edhe ndryshimi i emërtimit të Kongresit në Konventë Zgjedhore.
Kongresin e shpalli të hapur nënkryetari i PDK-së dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe, siç tha ai, miqtë nga Shqipëria, nga Maqedonia nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi…
Në emër të LDK-së dhe të Isa Mustafës, Konventën Zgjedhore të PDK-së e ka përshëndetur Teuta Sahatçia, Gerti Bogdani ka përshëndetur në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të kryetarit të saj, Sali Berisha.
Ali Ahmeti ka përshëndetur në emër të BDI-së, Ilir Meta ka uruar në emër të LSI-së, Ragmi Mustafa ka përshëndetur në emër të Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kanë përshëndetur edhe përfaqësues të shqiptarëve të Malit të Zi, të Partisë Republikane të Shqipërisë etj.
Gjatë ditës është raportuar nga PDK-ja se të pranishëm në hapjen solemne të punimeve do të jenë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, krerët e shumë partive në vend, kreu i PS-së, Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, e të tjerë./KD