Kuçi: Koalicioni do vazhdojë punë deri në zgjedhje

2 Shkurt 2013, 21:37Rajoni TEMA

Me gjithë brishtësinë e koalicionit aktual qeverisës në Kosovë, zyrtarë të partisë më të madhe në pushtet nuk besojnë se do të ketë nevojë për ndryshime në Qeveri.

Koalicioni i Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi me Aleancën Kosova e Re të afaristit Behxhet Pacolli, sipas analistëve politikë, nuk ka më shumë se 59 vota në Kuvend, çka po të vërtetohej me një mocion mosbesimi, do të nënkuptonte rënien e qeverisë, ngaqë 61 vota në Kuvend janë limiti i fundit për mbijetesën e një qeverie.

Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk u beson këtyre analizave. Ai beson se koalicioni do të vazhdojë punën deri në zgjedhjet e ardhshme. Kuçi nuk pret që të ketë ndryshime të mëdha në Qeveri, duke e parë si shumë më të rëndësishme përmbylljen e reformave zgjedhore, sesa thirrjen e një procesi të ri zgjedhjesh.

“Të gjitha partitë politike janë të interesuara fillimisht ta kryejnë reformën zgjedhore, të krijojmë një ambient ku qytetarët do të kenë mundësi ta shprehin vullnetin e tyre dhe vullneti i tyre do të realizohet me rezultat zgjedhor. Ne nuk kemi asnjë dilemë për punën që po bëjmë, për legjitimitetin qytetar, për angazhimin që po bëjmë dhe se kabineti qeveritar do të funksionojë gjithmonë në bazë të ligjit, Kushtetutës dhe legjitimitetit demokratik”, thotë Kuçi për Evropën e Lirë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje