Presidenti i BERZH: Kreditë e këqija janë një problem që duhet zgjidhur shpejt

8 Shkurt 2013, 11:45Ekonomia TEMA

“Kreditë e këqija janë një problem që duhet të zgjidhet shpejt dhe për këtë bankat e nivelit të dytë duhet të punojnë me Bankën Qendrore,” pohon presidenti i BERZH, Suma Chakrabarti.

“Në të vërtetë duam ta ndihmojmë Shqipërinë të rritet shpejt. Shqipëria ka shumë potenciale. Rritja në vitet e kaluara ka qenë më e shpejtë, por së fundmi është ngadalësuar. Fokusi ynë është industria e brendshme, në mënyrë që kjo të rritet më shpejt. Do të fokusohemi tek agrobiznesi, infrastruktura, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat gjithashtu duam t’i ndihmojmë në nevojat e tyre përmes bashkëfinancimit,” shprehet presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti.

Sipas tij, ndër sfidat e mëdha të ekonomisë shqiptare kanë të bëjnë “me administrimin e taksave, reformën institucionale, por dhe reformën për tokën, që lidhet me pronësinë. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme dhe kanë impakt në tërheqjen e investitorëve drejt Shqipërisë, por edhe për investitorët brenda saj”.

Për sa i përket shumës që banka europiane do të investojë për rindërtimin e Shqipërisë, Chakrabarti shprehet se: “Tre vitet e fundit ne financuam me 240 milionë euro për projekte të ndryshme. Duke pasur si bazë këtë, për vitin 2013 mendojmë se në Shqipëri do të vijnë edhe 80-90 milionë euro. Beso se do të investojmë më shumë sesa vitin e kaluar”, deklaron ai për gazetën Panorama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje