Skuadra e Interit vazhdon planifikimet afatgjata dhe e ka bërë lëvizjen më të mirë në merkato duke siguruar talentin e ri argjentinas, Ikardi, i cili po shkëlqen në radhët e Sampdorias.
Zikaltërit kërkonin prej kohësh një futbollist perspektive në repartin e avancuar dhe kanë gjetur te argjentinasi emrin e duhur, pasi ai ka treguar që tani se mund të bëhet një nga të mëdhenjtë e futbollit botëror. Interi ka lëvizur që tani, duke siguruar një akord prej 15-16 milion eurosh (në varësi të bonuseve) me Sampdorian, duke menduar se në fund të sezionit, çmimi i tij do të pësonte një rritje të ndjeshme.
Në këtë çështje ka ndikuar vetë dëshira e futbollistit, pasi ka qenë vetë ai që ka kërkuar zikaltërit, edhe pse për të gjatë janarit u interesuan skuadra si Napoli e Juventusi. Futbollisti pritet të nënshkruajë deri në vitin 2017 me ekipin zikaltër, ndërsa do të përfitojë rreth 1 milion euro në vit, një përmirësim shumë i ndjeshëm i rrogës në krahasim me shumën e 100 mijë eurove që përfiton aktualisht.
Tani i vetmi diskutim për t’u detajuar mbetet mënyra e pagesës së Interit ndaj Sampdorias, pasi klubi zikaltër po tenton që të paguajë vetëm 8 milion euro, ndërsa pjesën tjetër të parave ta kthejë në një dëmshpërblim teknik, duke i kaluar disa lojtarë të rinj.