Personal apo i diktuar, kthimi i ish-liderit të PD në partinë e dikurshme, nuk mund të mos kalonte pa u vënë re si për shkak të staturës së dikurshme ashtu dhe faktit se ishte ndër ata që guxuan dhe mbijetuan si ikona të së djathtës (deri në ‘mistifikim’), pavarësisht diskrecionit në mërgim. I konsideruar, sikurse të tjerë në perëndim, si disidenca që bart të patrazuar ‘ADN’ e idealeve të dhjetorit, ai shihej me nostalgji, deri shpresë, si ‘mbreti’ në egzil me rol unik në imazhin e së djathtës gjatë zigzageve post 97, gjë e pritshme kjo për një shoqëri të prirur ende kah kulti i individit.
As i pari, as i fundit
Rikthimi nën të njëjtin lidership tek e njëjta parti që e gjen me një barrë më të rënduar politike se kur e la pas, mund të vlerësohet sa kohë supozohet se po hipën në ‘anijen’ që po mbytet (kur të tjerë mendojnë braktisjen), thjesht dhe vetëm nga pozicioni i idealistit të dhjetorit. Gjë që do të ishte më e besueshme nëse do të përmendeshin ‘mëkatet’ politike gjatë mungesës të tij, për të cilat nuk ka përgjegjësi por ka përgjegjësinë të distancohet. Ndryshe, rikthimi dhe vënia e ‘supit’ pa asnjë kusht dhe ndarja e kostos politike së marrëveshjes së uj%rave, Gërdecit, 21 janarit, zgjedhjeve të 8 majit, mostransparencës zgjedhore, thellimit të borxhit publik, privatizimeve të debatueshme etj, mund të shihet jo thjesht si dalje kundër vetvetes por dhe gjest prej ‘kamikazi’ politik, për më tepër kur e djathta përfaqësohet sot denjësisht prej FRD në opozitë.
E thënë kjo, nuk përjashtohet edhe seria e radhës e sindromës së konvertimit të ‘urrejtjes’ në ‘dashuri’, e hasur rëndom në politikën e tranzicionit tek të dyja krahët e politikës, dhe që justifikohet me alibinë se politika është njëlloj si profesioni më i lashtë në botë. Gjithsesi, nëse rikthimi motivohet nga pragmatizmi dhe komoditeti personal, atëherë mund të bjerë ndesh me aureolën e disidentit prej të cilit pritej ndoshta më shumë lidership për të qenë, si politikan ‘free range’, pjesë e së resë dhe refuzuar komoditetin e ‘inkubatorit’ të PD ku ka ‘krunde’ për të gjithë.
Iniciativa personale ndërkohë mund të shihet si tejkalim i intrasigjencës tradicionale në PD, gjë që duhet marrë me rezerva sepse, ndryshe nga PD e 2005 në opozitë kur imazhi ishte jetik dhe sezoni i kthimit të ‘djemve plëngprishës’ asistonte, sot ajo bart arrogancën e pushtetit dhe fatin e votës, krahas perceptimit të votuesit dhe retushimit të imazhit me djemtë nga Amerika, e tundon precedenti i abuzimit dhe alkimisë së radhës me të.
Rikthimi ndërkohë mund të lexohet edhe si pranim indirekt i rrezikut të humbjes brenda PD me retushimin e sforcuar të imponuar edhe nga besueshmëria në rritje e FRD. Nga ana tjetër, rikthimi i figurave, memoria ndaj të cilëve ka ngrirë prej viteve 90, krahas tundimit të votuesit të lëkundur, mund të provokojë bumerang në kohezionin e PD si prej reagimit të të ‘paepurve’ ashtu dhe politikanëve njëpërdorimësh ‘BIC’, cikli i të cilëve rrezikon të mbyllet në qershor.
Me qitje të largët!
Nëse jo personal por i diktuar (mbetet për t’u parë entuziazmi në vijim) nga interesa strategjike për balancë demokratike, deri gjeopolitika në rajon, ky rikthim ndoshta parasheh rivitalizimin e PD, veçanërisht në rast humbjeje të zgjedhjeve, dhe ruajtjen e protagonizmit përmes riformatimit të lidershipit dhe evitimit të fragmentizimit me pasojë qëndrimin gjatë në opozitë.
PD dhe protagonistët e lëvizjes së dhjetorit kanë gëzuar tradicionalisht predispozicion prej perëndimit, veçanërisht atij atlantik, si inerci e gjenezës së demokracisë në vend. Ndryshe nga opozitarizmi post 1997 kur PD ende ruante kohezionin ideologjik djathtas, sot ajo nuk e ka më atë shans, për më tepër me FRD rrotull, ndaj PD në opozitë dhe në krizë eventuale lidershipi, rrezikon fragmentarizim jo-ideologjik me pasojë zhbërjen e protagonizmit politik.
Pa e hiperbolizuar, nëse i kalkuluar, ky rikthim e lëvizje të tjera eventuale të ngjashme me të, sesa trupëzim në fitoren e pamundur të PD, mund të shihet si një shans më shumë për të ruajtur ç’mund të ruhet prej PD në opozitë dhe ngjizur më pas një kohezionin të ri djathtas përmes bashkimit, në një fazë të dytë, të mbarë protagonistëve të saj (në parti të tjera) nën një lidership të ri si balancim ndaj një të majte të fuqishme në prag të qeverisjes. Ndoshta, jo rastësisht ky rikthim anashkaloi partitë e tjera, jo thjesht për arsye të konservimit të entitetit politik të PD por edhe për shkak të tentativave jo efektive të futjes së të gjitha ‘vezëve’ në një shportë në të shkuarën, të cilat nuk arritën të defaktorizonin lidershipin e PD por thjesht shtyn në kohë procesin e pashmangshëm të ribashkimit nën të.
Shansi opozitar për partner të privilegjuar strategjik
Ndërsa PD po destinohet për opozitë, sfida mbetet tek kampi i fitores i kryesuar prej PS, për ta administruar si duhet atë. Duke filluar me lobimin konsistent ndaj politikës amerikane që, përtej mbështetjes europiane, mbetet garanci unike për qeverisjen e mirë afatgjatë.
Politika shqiptare pa dallim duhet të shfrytëzojë në maksimum përputhjen e interesave gjeopolitike të Amerikës mike me ato madhore tonat dhe sfida e çdo qeverie shqiptare, në këtë rast e kampit të PS, duhet të jetë konsiderimi i ndjeshmërive përkatëse. Si në përmbajtje – strategjitë e zhvillimit, ekipi qeveritar, lidershipi partiak etj ashtu dhe në imazh, duke filluar deri nga ripagëzimi në kohën e duhur i partisë socialiste, që përtej retorikës demagogjike, mund të evokojë sentimente të caktuara, deri paragjykime të panevojshme informale tek politikanë dhe qarqe me peshë në perëndim me origjinë inercinë e luftës së ftohtë, të fryra më pas qëllimisht dhe ironikisht prej lidershipit të PD të lidhur vetë me sistemin e kaluar, por tashmë të konsideruar apriori ‘blu’!
Në qershor është në pikëpyetje fati i demokracisë në Shqipëri dhe krahas verdiktit të votuesit, ndikim thelbësor ka qëndrimi perëndimor. Ky i fundit, tradicionalisht është perceptuar se ka toleruar me prioritet PD duke e ulur, sipas rastit, ‘stekën’ ndaj performancës së qeverive të saj deri aty sa nuk ka mbajtur më, ndërkohë që për ato të majta ka qenë më strikt, më i drejtpërdrejtë dhe më publik për kontekste që nuk kanë krahasim me realitetin e viteve të fundit (asnjë qeveri socialiste nuk do të mbijetonte politikisht apo do e kalonte paq pas ngjarjeve si Gërdeci, 21 janari, kontrolli mbi gjykatat, abuzimi me votën, retorika pafre nacionaliste etj).
Ndaj, opozita në përgjithësi dhe ajo socialiste në veçanti, ka shansin historik, që përtej zhvillimeve në kampin e djathtë, të bëjë të vetën dhe rikthejë me vendosmëri normalitetin demokratik duke pretenduar kësisoj jo vetëm ‘statusin’ e të privilegjuarit ndër votuesit shqiptar por edhe atë të të partnerit të privilegjuar strategjik ndër partnerët e Shqipërisë në perëndim, me ata amerikanë në radhë të parë.
Ceshtja Selami eshte nje ceshtje qe duhet te merren psikologet dhe jo politikanet.Shenasi Rama ne intervisten e tij nder te tjera tha”Ai ka ato halle qe ka” dhe beri mire qe se vazhdoi arsyetimin duke u treguar i sjellshem per te mos prekur privatesin e bashkluftetarit ne dhjetor.Ceshtja Selami ka te bej totalisht me privatesin e tij.Un do ju rikujtoj intervisten e fundit te Intelektualit te nderuar Ardian Klosi,nje jave para vetvrasies dhe nje muaj pas tentatives se parafundit per vetvrasie.Ai perseri edhe pse i rrenuar shpirterisht gje qe e reflektonte ne mungese humori,entuziazmi etj…perseri tha gjera te mencura,por pas nje jave beri ate qe beri.Te njejten pamje pam dhe me Selamin ne interviste me Fevzon.Foli si qytetar,gjera te zgjuara por i rrenuar shpirterisht.Fytyra i fliste shume… Selami,sot eshte ne diten e tij me te keqe.Dukshem ai ka mbetur peng i dickaje qe ka shkuar keq ne jeten e tij,i paafte te shkeputet nga ai moment qe ka te bej me privatesin e vet,ai ka zgjedh rrugen e gabuar per tu ringritur.Ne diten me te mire kur gjerat i kishte ne ekuiliber ne jete ai jepte versionin e tij me te mire,i moralshem,primor,i pamposhtur,krejt ndryshe nga Berisha.Sot ai i dorzoi te gjitha duke i zhgenjyer te gjithe si nje njeri pa integritet personal.Por ne fakt nuk eshte keshtu,Selami e di mire se ne c’gjendie eshte Selami.Selami eshte nen depres dhe depresi i destabilizon karakteret e njerezve.Prandaj ai ka pyetur veten se cilat jan momentet me te bukura ne jeten e tije dhe pergjigja eshte:1-momenti i betejave (90-95) qe e bente ate te ndihej i gjalle dhe periudha familiare…destabilizimi i te dytes dukshem i ka krijuar nje traum nga e cila ai nuk po di si te dale.E rendesishme sot per Selamin eshte vetem te shpetoj Selamin.Pra sot ai i eshte bashkangjitur PD thjesht per TERAPI.Nese ai do arrij ta shpetoj Selamin dhe te dale nga kjo gjendie,nuk eshte cudi qe ti rikthehet moralit dhe parimeve te dikurshme.Problemi eshte se arsyeja e tij eshte krejt kunder nga arsyeja qe Berisha e do aty.Berisha eshte mjek,pra eshte dhe psikolog.Ai i gjuan gjendiet e tilla tek njerezit dhe nuk kursen asgje per ti ofruar dhe shfrytezuar.Rasti me Mesila Doden e verteton kete dhe ajo eshte nen nje depres te thelle,por ai e shperblen te kurohet por jo ne qetesi diku ne ndonje qender reabilitimi por ne fushbetej…kemi rastin e Imamit,Visho Likes dhe se fundi te kryetares se KQZ..te gjithe nen traum te perdorur nga Berisha…Berisha ka nje hall te madh dhe kete e ka me Topin.Bamiri ja ka dal ta bej ate te ndihet inferior ne dy gjera.Kur i thote komunisti i fundit,nderkoh ka mbledh rreth vetes figura te pastra qe kan lidhje me dhjetorin…Berisha e ndjen thelle kete avantazh te Topit,ndaj projekton Selamin,duke shpresuar ne gjendien e tij te turbullt,mund ta ngarkoj ate te merret vetem me FRD dhe kryesisht me Topin dhe Oketen si ish-student Dhjetori.Psi si pozicion ne dhjetor e me pas Selami ka qen me siper se dhjetoristet qe Topi ka ne krah.Pyetja eshte :A do pranoj selami te lexoje tekstet e shkruara nga Berisha per FRD dhe per individet dhjetorist ne te ? A do i sherbej kjo TERAPIS se Selamit per Selamin ? A do pranoj ai vazhdimin e deporsonalizimit dhe destabilizimit te karakterit,apo me bashkangjitjen ne PD do filloje ringritjen e tij pa rene ne keto nivele?! Ne sot duhet te jemi tolerant dhe ti mirkuptojme “hallet e tij” natyrisht te vemendshem me leviziet dhe sjellien e Selamit.Terapi te mbare Z.Selami ! Le ta shpetojme Selamin….