Paradoksi i nacionalizmit të Sali Berishës

12 Shkurt 2013, 21:19Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

Republika e Shqipërisë këtë qershor do të ketë zgjedhjet parlamentare. Për të satën herë në 20 vjetët e fundit zgjedhjet e tilla do të shihen si test i pjekurisë së shtetit për të ecur drejt procesit të integrimeve evropiane. Bashkimi Evropian tashmë i ka vendosur këto zgjedhje si testin dhe kushtin kryesor për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kjo është thënë nga diplomatët e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian që kanë qëlluar të jenë edhe miq të shqiptarëve. Këtë qëndrim e kanë Gjermania, Holanda, Franca dhe Britania e Madhe. A është përmendur qartë në Konkluzionet e BE-së apo jo kushti i zgjedhjeve, a pajtohen me këtë Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian apo jo, është më pak e rëndësishme dhe është më shumë çështje e manipulimeve për nevojat e brendshme. Të gjithë ata të cilët sadopak përcjellin procedurat në BE dhe qasjen e vendeve të saj kryesore ndaj procesit të zgjerimit e dinë se Shqipëria pa zhvilluar zgjedhje të lira, demokratike, të pakontestuara dhe të pavjedhura, nuk mund të marrë statusin e vendit kandidat. Prandaj edhe shqetëson insistimi i Qeverisë së sotme në Shqipëri se “zgjedhjet nuk janë kusht” dhe se vetëm “tri ligjet” na qenkan të vetmet kushte. Ky qëndrim i Qeverisë së Shqipërisë është shqetësues, sepse dikush, me apo pa të drejtë, mund ta kuptojë këtë si mosbesim në mirëvajtjen e zgjedhjeve.

Qeveria e Shqipërisë përmend “tri kushtet” për të vazhduar fushatën e saj kundër opozitës dhe për ta fajësuar atë pse Shqipëria ende nuk ka status kandidati. Kështu Shqipëria bëhet sot i vetmi vend në Evropë ku për dështime të shtetit fajësohet opozita. Ndërsa opozita po ashtu nuk ka ditur ta menaxhojë këtë çështje dhe ka lejuar qeverinë të manipulojë me “tri kushtet” e Komisionit Evropian. Edhe opozita e Shqipërisë, edhe partitë që përbëjnë koalicionin e sotëm qeveritar, e dinë se edhe po ta kishte përmbushur kushtin e “tri ligjeve” Shqipëria nuk do ta kishte marrë statusin e kandidatit nga BE-ja para zgjedhjeve. Ndoshta më e zgjuar nga opozita do të ishte sikur të kishte ndihmuar që ato “tri ligje” të kalohen në Kuvend dhe atëherë do të ishte e qartë për të gjithë se është Qeveria ajo, e cila nuk ka arritur ta sigurojë statusin e vendit kandidat.

E vërteta e “tri ligjeve” është se pa miratimin e tyre Komisioni Evropian nuk do të raportojë fare lidhur me përmbushjen e kushteve nga ana e Shqipërisë. Por kur kërkon që ato ligje të miratohen Komisioni Evropian nuk thotë doemos se ato duhet të miratohen në formën që i propozon qeveria. E vërteta tjetër është se edhe kur të përmbushet ai kusht, shtetet anëtare do të thonë se “ky është një përparim i mirë”, por prapë do të thonë se presin të shohin se si do të zhvillohen zgjedhjet për të vendosur më vonë për dhënien e statusit të kandidatit. Por duket se në Shqipëri pak ka rëndësi se çfarë është e vërteta, sepse secili, në bazë të asaj se cilën parti e mbështet, edhe vendos se cilit interpretim do t’i besojë e cilit jo.

Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë të parët e as të fundit në Ballkan të cilët proceset e integrimeve në BE i shfrytëzojnë për fushata të brendshme politike. Këtë e kanë bërë të gjithë: nga Zagrebi e deri tek Shkupi, dikush me më pak e dikush me më shumë sukses. Në Kroaci, e cila pas pesë muajsh bëhet anëtare e 28-të e Bashkimit Evropian, në fillim të këtij shekulli mediat nuk raportonin se si “Kroacia mori statusin e kandidatit”, porse “kryeministri Sanader siguroi statusin e kandidatit për Kroacinë” e kështu me radhë. Në fund kur Kroacia po hyn në BE, Sanader ndodhet në burg për korrupsion dhe udhëheqje të një sistemi paralel pushteti në shtet, partia e tij është dënuar nga qytetarët me humbje dramatike të votave, ndërsa tash është e vetmja parti politike në Evropë e cila ndodhet para gjyqit për vjedhje të parasë publike. Edhe në Serbi ish-presidenti Boris Tadiç i humbi zgjedhjet, edhe pse pak ditë para tyre siguroi që Serbia të marrë statusin e kandidatit.

Në Shqipëri qeveria e sotme krijon përshtypjen se si ishte kryeministri Sali Berisha ai i cili u siguroi shqiptarëve lëvizjen e lirë në Evropë pa viza. Kjo strukturë e pushtetit priste që ndoshta disa muaj para zgjedhjeve Shqipëria do të fitojë statusin e kandidatit për BE dhe këtë ta përdorë në fushatën zgjedhore. Edhe një politikë e tillë është legjitime. Por Berisha e ka kuptuar se kësaj radhe nuk mund të luajë në kartën evropiane. Për shkak se ajo nuk mund t’i ndihmojë shumë, sepse suksesi mungon dhe pasaportat janë shumë larg nga realizimi.

Dhe kur u bë e qartë se nuk mund të fitojë shumë në kartën evropiane, Berisha vendosi ta luajë atë që edhe miqtë e shqiptarëve po e quajnë “kartë nacionaliste”. Në përdorim të përditshëm shpesh “nacionalizmi” përmendet edhe në kontekst pozitiv, që është gabim. Askund në botën e civilizuar nuk kuptohet pozitivisht “nacionalizmi”. Ai keqkuptohet kur ngatërrohet me “patriotizmin” apo siç është fjala e bukur shqipe “atdhedashurinë” që nuk janë nacionalizma.

Fakti se disa zyrtarë të lartë perëndimorë, duke përfshirë edhe ata amerikanë, kanë shfaqur shqetësim me atë që e quajnë “retorikën nacionaliste” të kryeministrit të Shqipërisë të bën të mendosh se ata po e marrin tepër seriozisht këtë “nacionalizëm” të rizbuluar. Problemi në rastin e Berishës qëndron në dy fakte: e para është se retorika e tij po u bën dëm Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi dhe e dyta se ai “nacionalizëm” nuk është i sinqertë.

Ta marrim si shembull idenë që të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, të mund të pajisen me pasaporta të Republikës së Shqipërisë. Berisha, sa në pushtet, sa në opozitë, ndodhet në krye të politikës në Shqipëri tash e më shumë se 20 vjet. Ka pasur mjaft kohë ta realizonte këtë ide po ta kishte të sinqertë dëshirën. Dhe askush nga jashtë nuk mund t’ia mohojë këtë të drejtë. E ka Kroacia për kroatët, e kanë edhe vendet tjera. Edhe sot nuk mund ta kundërshtojë dikush këtë ide nëse Shqipëria e bën ligj. Por problemi qëndron në momentin. Ja një test: Nëse Shqipëria e konsideron heqjen e vizave për shtetasit e saj për të udhëtuar në vendet e BE-së si “arritjen më të madhe në historinë e Shqipërisë që nga kthimi i Skënderbeut në Krujë”, atëherë a do të ishte i gatshëm Berisha ta rrezikonte këtë, duke u dhënë pasaporta qytetarëve të Kosovës. Do të mjaftonte ardhja dhe aplikimi për azil e disa qindra kosovarëve me pasaporta të Shqipërisë në vendet e BE-së që Shqipëria me shpejtësi të madhe të kthehej në listën e zezë të Schengenit. A do ta bënte Shqipëria një sakrificë të tillë.

Ajo që është zbulim edhe më paradoksal i kryeministrit Sali Berisha është “albanofobia”. Zbulimi i një frike të tillë patologjike që kanë fqinjët nga shqiptarët është tërësisht jashtë kohe. Në fakt shqiptarët asnjëherë në historinë e tyre nuk i kanë pasur më të mira raportet me fqinjët sesa që i kanë sot.

Ja disa fakte: Greqia është shtet aleat i Shqipërisë në NATO.  Me anëtarësimin në NATO Shqipëria ia ka dhënë besën edhe Greqisë se do t’i dalë në mbrojtje nëse dikush ndonjëherë merr guximin për ta sulmuar shtetin Aleat, sikur edhe cilindo nga 28 shtetet anëtare të NATO-s. Sipas nenit 5 të Traktatit të NATO-s “sulmi mbi një shtet anëtar konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve”. Në Greqi edhe në këtë kohë të krizës së madhe ekonomike rreth gjysmë milioni shqiptarë fitojnë bukën për familjet e tyre.  Retorika nacionaliste dhe fashiste e grupeve ekstreme në Greqi nuk e përfaqëson qëndrimin e këtij shteti. Njësoj është rasti edhe me Italinë, një tjetër aleat në NATO.  Turqinë jo vetëm se Shqipëria e ka aleat në NATO, por vetë kryeministri Sali Berisha ka thënë se “jemi të një gjaku”. Me Malin e zi, shtet të pavarur, kurrë shqiptarët nuk i kanë pasur raportet më të mira. Mali i Zi e fitoi pavarësinë edhe falë votave të shqiptarëve në këtë shtet dhe ata janë të kënaqur me pozitën e tyre. Edhe nga Shqipëria shumë qytetarë shkojnë në pushime verore në Mal të Zi, ku vështirë se mund të gjesh sot “albanofobi” për të cilën flet Berisha. As për Maqedoninë nuk mund të thuhet se është “albanofobe”, sepse nuk mund të jetë e tillë një qeveri pjesë e së cilës janë vetë shqiptarët.

Madje kanë ndryshuar gjërat edhe me Serbinë me liderët e së cilës kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ha e pi në Bruksel, me të cilët me kënaqësi takohet edhe presidentja e Kosovës, Jahjaga. Vetë liderët kosovarë pranojnë se “me Serbinë po bëhen hapa historikë në normalizimin e marrëdhënieve”. Dhe nëse kosovarët i kanë punët mirë me Serbinë, atëherë vështirë se mund të thuhet se Shqipëria ka ndonjë problem me Serbinë. Të gjitha vendet fqinje i kemi edhe partnerë të rëndësishëm tregtarë dhe kemi liberalizim tregjesh me ta. Mallrat e Serbisë konsumohen me kënaqësi jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri.

Nëse nuk mendon në sharjet të cilat dëgjohen nga huliganët apo tifozët në ndeshjet e futbollit, atëherë nuk mund ta gjejmë arsyen pse tash Berisha sheh “albanofobi” për të cilën nuk fliste as kur regjimi i Serbisë përzinte nga trojet e tyre qindra e mijëra shqiptarë.

Motivet e Berishës mund t’i gjejmë vetëm në frikën nga humbja e pushtetit dhe nga anketat të cilat tregojnë rritje të mbështetjes për Aleancën Kuq e Zi. Cilat do të jenë motivet prapa retorikës së fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ajo nuk i sjell asgjë të mirë as Shqipërisë e as shqiptarëve.  Nacionalizimi shpesh është përdorur si ikje nga realiteti, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët sot kanë probleme shumë më të mëdha me veten e tyre sesa me fqinjët. Nuk kanë faj fqinjët pse në Shqipëri dhe në Kosovë vidhen votat. Nuk kanë faj fqinjët se në Shqipëri dhe Kosovë lulëzojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Nuk kanë faj fqinjët për vrasjen e njerëzve në Tiranë më 21 janar, kushdo që të ketë qenë fajtorë. E as që kanë faj fqinjët për çmimin e energjisë në Kosovë. Për “albanofobinë” kurrë nuk ka qenë kohë më e gabuar për të folur sesa që është sot.

11 komente në “Paradoksi i nacionalizmit të Sali Berishës”

  1. Pelasgian says:

    shume mire ke shkrujt por ne disa pika je gabim !
    Greqia si shtet i NATO-s , qe ne 2009 duhet ta kishte hequr ligjin e luftes me Shqiperine , kshtu qe e kam shume te veshtire te besoj se ky shtet do ti dale zot shqiperise nese dikush na sulmon , duke ditur shume mire qe eshte shteti me ANTI SHQIPTAR NE BALLKAN BASHK ME SERBINE ( vllezerit e tyre ) dhe sa i perket ” bukes ” se greqise , ktu as nuk duhet folur fare , se shqiptaret kan ngrene buk me shpatullat e tyre , madje edhe te shfrytezuar ndersa greket jan pasuruar ne kurriz tone , varret qe po hapen ne shqiperi , te drejtat e minoritarve , me duket se e kemi ul shum koken perballe ktij shteti . Ne Greqi nuk te lene te besh nje reportazh per pronat e Cameve ne Cameri , as nuk behet fjale per varreza te Cameve , mohohet qarte genocidi ndaj tyre . Minoritart gjithmon kan pas poste te larta ne cdo qeveri shqiptare , madje edhe ne ate te diktatorit Hoxha , ndersa Camet jan konsideruar si qytetare te nivelit te 2te , ( I VETMI RAST NE BOTE KY SHTETI AME MBRON DHE I JEP ME SHUME TE DREJTA MINORITARVE TE NJE SHTETI ARMIK SESA VET QYTETARVE TE TIJ SI CAMET QE JAN SHQIPTAR DHE SE MOHUAN ASNJEHER ) po kot s’thone , te ne cudia me e madhe zgjat 3 dite .
    Shqiptaret ne qeveri ne Maqedoni jan si ata qent qe ju jep ndonje kocke edhe knaqen duke e lepire ndersa shumica e shqiptarve jan si qytetar te nivelit te dyte ! Sa here e sa here eshte djegur flamuri shqiptar ne ate shtet dhe asnje person nuk eshte burgosur ndersa nje shqiptar nga Struga u burgos me nje vit vetem pse djegu flamurin maqedonas ! E sa e sa padrejtsi qe ju behen , ambasada jone ? AS NUK DO T’JA DIJE FARE PER TA ! SIKUR MOS TE ISHIN SHQIPTAR , I MBRON ME SHUME TURQIA SESA SHTETI AME !
    Serbia ? Serbia qe kur ka lind shteti shqiptar e deri me sot eshte ARMIKU ME I MADH I JONI , GJITHMON I KA KTHETRAT E SAJ NE SHQIPERINE E PLAGOSUR ! vet kryeministri jon eshte AGJENT SERB !
    ky shtet kurre nuk do te ket paqe me Shqiperine , urrejtja e tyre ndaj nesh nuk ka te matur !
    Mali i Zi ? edhe ky shtet nuk eshte se i trajton mire shqiptaret , megjithate eshte shteti fqinj me i mire i shqiptarve !
    Pashaportat edhe nacionalizmi berishian jan thjesht per fushate elektorale , kte edhe femijet e dine !

  2. Epirioti II says:

    Z. Palokaj, gazetaria moderne online ka ec perpara. Kush shkruan gjate per argumenta te shkurter (qofshin keto shume te rendesishme) nuk pelqehen nga lexuesit. Shkrimi yt faren e kosit e ka te mire, por i ke hedhe aq shume uje sa ke hyre tek territori i dhalles.

  3. ajdin says:

    Shkrim me te bukur per here te pare po lexoj ne lidhje me nacionalizmin.
    Shume respekte nga ana ime per shkrimin tuaj.

  4. historiani says:

    ec e merre vesh aguston. ketej thote nacionalizmi ehste ikje nga realiteti , ketj thote se alenca kuq e zi po bymehet

  5. fl says:

    Te gjitha argumentat qendrojne shume mire.

  6. Horri i Bulevardit says:

    Berisha esht nacionalist kur shqiptaret jane me inferiore se serbet dhe Saliu per kete i jep material Europes qe Serbija te filloje revanshin, duke i treguar Evropes se jane shqiptaret luftenxites.

  7. vlonjati it says:

    berisha e un figlio di troia gnent altro,un pezo di merda,altro che nazionalista.

  8. Leonardi says:

    Shume shkrim i goditur Augustin. Te gjitha qe shkruan jane te verteta.Te lumte dora per kete shkrim te bukur.

  9. aleksandri i madh says:

    Vucidolovici ka shume te bej me nacionalizmin por me nacionalizmin serb dhe grek sepse nga ata paguhet dhe nga ata i merr urdherat.

  10. mesila_p...i says:

    d.m.th., e shprehur matematikisht “tre kushtet” janë kusht i nevojshem, por jo i mjaftueshem per marrjen e statusit. A ja keni bere te qarte kryeshefit kete qe te mos luftoje me mullinjte e eres?

  11. Kadri says:

    Analiza ishte interesante, e sakte dhe me atdhedashuri kunder pseudonacionalizmit te njeriut qe ka shume akte e vendime antikombetare

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje