Nga fryn era...

11 Shkurt 2013, 20:46Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Në Torino në konferencën ‘Rilindje për Europën’ z. Rama deklaroi, mes të tjerash, se ‘… era për Europën e së nesërmes po fryn majtas…’ duke përcjellë njëkohësisht edhe besimin e rotacionit të pritshëm në Shqipëri. Por përtej nevojës për ndërrim pushteti, dilema mbetet pushteti që do të pasojë. Qeveria duket që në opozitë dhe pozicionimi i ofertës elektorale duhet të reflektojë si duhet edhe frymën e zgjimit demokratik që ajo pretendon.

Premtime bumerang

Oferta elektorale duhet të respektojë dinjitetin dhe integritetin e votuesit duke lënë pas retorikën e tranzicionit me inflacion premtimesh demagogjike, shpesh të panevojshme kur vetë elektorati nuk e ka të ngritur mëndjen për to. Premtimi i kryesocialistit në vitin 1997 për rikthimin e tërë parave të humbura në piramida nuk ishte as i nevojshëm dhe as i pritshëm (elektorati do të votonte në masë për PS gjithsesi) ndërkohë që u shndërrua në bumerang dhe makth për qeverisjen socialiste dhe alibi për PD për të rrënuar besueshmërinë e imazhit të kundërshtarit politik.

Premtimet opozitare duhet të jenë realiste dhe efektive duke riformuluar dhe kontrolluar deklarata të llojit ‘më 24 qershor drejtësia do të vihet në vend’, ‘më 24 qershor do t’i jepet fund abuzimit me pronën publike’, ‘rendi do të rivendoset në 300 ditë’, ‘do të hapen kaq apo aq vende pune’, ‘sigurim shëndetësor falas’ etj xixa që veç ngarkojnë emocionalisht dhe promovojnë hipnozë elektorale tek votuesi ndërkohë që fryma e rilindjes duhet të synojë emancipimin politik, sikurse në perëndim, përmes debatit racional dhe raportit kritik ndaj politikës që nuk është e përsosur dhe nuk duhet adhuruar apo reklamuar si e tillë.

Së pari opozita duhet të vijë në pushtet dhe deri më tani e ka marrë shtruar dhe premtimi kurajoz i ‘garancisë së padiskutueshme të paprekshmërisë së votës’ flet vetë, ndërkohë që mazhoranca me vepra dhe haptazi po imunizon pushtetin e saj dhe po krijon skenarë rezervë edhe nëse në opozitë.

PS nuk duhet dhe nuk mund të marrë asgjë të mirëqenë dhe domosdoshmëri mbetet koordinimi i aksionit opozitar me AK dhe FRD si për përmasat e fitores ashtu dhe simbolikën e saj. Me këtë ligj zgjedhor, ku PS ka ‘mea culpan’ e saj, mazhorancat janë të brishta dhe mbajtja e premtimeve shndërrohet në sfidë duke filluar nga të famshmet 3 ligjet e integrimit për të cilat do të jetë radha e alibive të PD për të mos i votuar ato.

Premtimet opozitare duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe konkrete duke filluar nga kthimi i pronës pronarit legjitim, sovraniteti dhe bashkimi kombëtar, rishikimi i ligjit zgjedhor etj çështje kardinale me kryepremtimin (sikurse në perëndim) të dorëheqjes individuale apo si qeveri nëse ato nuk përmbushen në afate apo abuzohet në proces.

Konfuzion në imazh

E majta dhe e djathta janë nocione relative dhe nëse vëmë syze ideologjike, jo vetëm PD por dhe PS, stonojnë në raport me ideologjinë që pretendojnë (politika, lidership etj). Deklarimet e fryrjes së erës majtas apo djathtas jo vetëm i fryjnë ndasive, teksa çdo qeveri presupozohet të punojë në interesin e të gjithë qytetarëve, të majtë apo të djathtë qofshin ata por dhe krijon, sipas optikës së marketingut politik, paqartësira në pozicionimin e imazhit partiak.

Përtej provokimit të sindromës së ‘turmës’ dhe fanatizmit mes mbështetësve besnikë, këto deklarime komprometojnë (a) raportin me elektoratin e qendrës dhe atë neutral duke stimuluar paragjykime të panevojshme (racionale apo instiktive) që përkthehen në më pak vota në kuti sikurse provokojnë (b) paragjykim tek aleatët potencial (AK dhe FRD) që druhen se me bashkëpunimin me PS, thjesht do i shërbejnë kauzës së majtë, duke rrezikuar kësisoj identitetin (impresioni i parë në elektorat është afatgjatë për mirë a për keq), mbështetjen delikate që po ngjizin dhe ekspozimin ndaj propagandës së PD prej të cilës synojnë të marrin një pjesë të elektoratit.

Era fryn nga perëndimi

Tranzicioni nuk na u bë havale për shkak të erërave të majta apo të djathta por për mungesë zbatimi të ligjit dhe papërgjegjshmëri të politikës. Ekonomia e BE nuk po lëngon se në Gjermani është Merkel apo në Britani Cameron etj por se krizat nuk njohin ideologji dhe ato bëjnë të tyren pavarësisht ngjyrës së qeverisjes. Nëse pranojmë se fati i një shoqërie dhe optimizmi matet me kahun e erës ideologjike, atëherë biem në fatalitetin e pesimizmit të pashmangshëm kur penduli politik fillon e anon nga e djathta. Jeta biologjike e një brezi nuk mund të limitohet në ngjyrën e erës ideologjike që e flladit atë dhe era djathtas mund të jetë po aq shpresëdhënëse saç është dhe e majta sot. Për më tepër kur e majta dhe e djathta jo vetëm nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën por janë të destinuara reciprokisht për t’i dhënë kuptim dhe efektshmëri politikave qeverisëse.

Trumbetimi i erës majtas, thjesht çliron psikoza dhe provokon delir iracional në një pjesë të mirë votuesish që kanë iluzionin se më 24 qershor hallet e tyre marrin fund dhe do të mund të marrin frymë lirisht, ndërkohë që në fakt më 23 qershor të gjithë kemi thjesht shansin unik të kthejmë timonin e shoqërisë, jo majtas apo djathtas, por drejt perëndimit të cilit i përkasim.

Media në krah të votuesit

Nëse politikanët e kanë të vështirë, në mos të pamundur, të heqin dorë nga huqi i propagandës që ‘shpëlan’ mendjen e votuesit (duke dëshmuar kësisoj mungesë respekti për dinjitetin e tij), media dhe analistët e pavarur nuk duhet të bien në kurthin e kësaj retorike apo më keq, t’i bëjnë fresk asaj. Prej saj pritet stimulimi i gjykimit racional tek votuesi përmes analizimit dhe sfidimit të tezave politike të të dy krahëve. Ndaj, edhe kur trumbetohet me pompozitet si popullaritet kauze, tërheqja e gazetarëve të pavarur në botën e politikës (në botën anglo saksone kjo do të krijonte zhgënjime dhe debate për pavarësinë e medias), harrohet se kësisoj puthitet akoma më shumë ‘dritarja’ e transparencës ndaj arrogancës së politikës që përvoja ka treguar se nuk zhbëhet vetvetiu teksa thjesht ndërron vetëm ngjyrë.

4 komente në “Nga fryn era…”

  1. PARADOKSI says:

    ..po mire e ka Edi..,”majtas=perendim..”,per SHQIPERINE!.pra po te rrish “drejt me fytyre nga Veriu.,i bie qe “majtas te kesh ITALINE..,e cila eshte PORTA E PERENDIMIT.(Occidente)..,dhe e CIVILIZIMIT..EVROPIAN!!

  2. vz gjirokastriti says:

    Pershendetje Artan.Une nuk e dija qe ky popull te qe kaq hajvan….
    thote Majkell MOR,Kur e intervistoje Morgan ne CNN kohe perpara se te
    zhvilloheshin zgjedhjet per president ne Amerike.Kjo na cudit i thote
    Morgani? Na jep nje argument ,qe ta besoje dhe une te thenet e tu.
    Ky popull 98 perqind i takon te haje nga pica nje cope dhe 2 perqind e
    ketij populli te haje 9 copa te pices dhe vazhdon ta pranoje kete ndarje.Nje popull i zgjuar nuk do ta pranonte kurre kete ndarje te pices ne kete menyre.
    Une nuk e dija qe ky populli tim te ishte kaq gomar.Per 40 vjet rresht
    gomaret u vendosen me te gjitha menyrat per te qeverisur kete popull,
    as kujt nuk mund ti veje faje per gomardheqet ,se te humbisnin me te
    gjthe pjestaret e familjes,qe ndertuar nje shtipje e madhe per te gjithe dhe me teper per gomaret ,qe shtipija.Por por te mos te te shtipi as kush ne nje liri shqiptarce e te vazhdoshe per 22 vjet resht
    te hashe nga gomaret e PD dhe nga hajvanet e PS keto genjeshtra,qe nje
    here vjen era nga e djathta ,domethene nga ana e mutit. Dhe nje here
    vjen era nga e majta,domethene nga ana e bajgave ,te ngelet te thuash.
    Une nuk e dija qe ky populli tim eshte kaq gomar???????

  3. fatmiri says:

    Nje shkrim per te thene qe edhe une di te jap mendime e te orientoj. Dhe figurat letrare nuk i njeh gazetari?! Nivel i dobet.

  4. monoteisti says:

    AI LART.
    Era ndryshon ne c’do cast,vetem eres s’mund ti besosh,ndryshe je naif.
    Eren ne c’do cast e drejton AI LART.

    Ne shqipot qe kur na percane nga uniteti qe kishim per ate LART,ende eren e kemi nder dekada perpara si pengese,ndaj ngelem ne fund apo te fundit edhe pas 100 vite paloshtet derisa s’kemi DREJTESI.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje