S.O.S demokratik
Verdikti për 21 janarin nuk është as fillimi dhe as fundi i mjerimit demokratik haraçin e përditshëm të të cilit e ka në kurriz veç qytetari anonim. Tashmë ‘hashashi’ elektoral i radhës ka pak vlerë në mungesë të një aksioni konkret prej opozitës si e tërë. Kjo mazhorancë i ka bërë ditët e saj dhe rotacioni i paralajmëruar politik mbetet jetik teksa është prekur fundi në gjithçka dhe shansi historik i troket kësisoj në derë opozitës që, për meritë a diferencë, mbetet shpresa e vetme që nëse në zgjedhje me këtë qeveri, t’i dalë për zot si një e tërë votës së pritshme plebishitare. Një kohezion opozitar ky që nuk po ndodh, duke nxitur spekulimet si rreth pranisë së ‘kolonës së pestë’ në opozitë ashtu dhe paaftësisë, delirit apo arrogancës për protagonizëm të ‘çelësave të kashtës’.
Opozita duhet t’i fryjë dhe ‘kosit’
Apeli për mbrojtjen e votës tingëllon absurd për një vend të NATO (me Gërdecin ende në tym, u pranuam sesa për identitet demokratik, për kalkulim gjeopolitik) dhe garanci përballë një mazhorance të të 99-ave nuk ka.
Nëse opozita e akuzon qeverinë për antikombëtarizëm, atëherë ajo jo vetëm që nuk do ndruhej nga prishja e zgjedhjeve me faturë ngrirjen e integrimit europian (paralajmërim ky i BE) në favor të gjeopolitikës antishqiptare në rajon por, përkundrazi, do e provokonte qëllimisht atë(!) Ndaj deklarimet opozitare për paprekshmëri të votës duhet të shoqërohen me veprime konkrete ku tryeza e rrumbullakët si entitet për hartimin e strategjisë mbarë-opozitare, mbetet hapi i parë.
Asgjë nuk ka ndryshuar, përveçse përkeqësuar, në raportin e mazhorancës me demokracinë dhe vajtja në zgjedhjet e qershorit me të, do të ishte si ‘cjapi tek kasapi’ për opozitën e fragmentarizuar dhe alibi për mazhorancën për një cikël të ri të pështjellimit demokratik, për më tepër kur perëndimi mbetet ende në deklarime lakonike dhe kërcënimeve të tij, kjo mazhorancë ia ka pirë lëngun deri më sot.
Qeveri teknike që zhbën kontestimin elektoral
Pasi dështoi në provokimin e zgjedhjeve të parakohshme, opozita ka ende shansin e zgjedhjeve të radhës pa këtë qeveri që kontrollon çdo pushtet dhe po zhgënjen Perëndimin pa kthim. Objektiv ky parësor i tryezës së rrumbullakët opozitare që mund të arrihet si përmes mosbindjes civile, protestës gandiste, bojkotit të institucioneve farsë, sensibilitetit mediatik në perëndim, lobimit agresiv të kancelarive perëndimore etj. Nëse syresh në opozitë ende favorizon ideologjinë mbi rregullat e lojës në demokraci, kjo nuk përbën arsye për të mos u bashkuar në emër të largimit të kësaj qeverie dhe zgjedhjeve me një qeveri teknike. Por edhe nëse hyhet në zgjedhje me këtë qeveri, unifikimi është jetik për shansin e mbijetesës dhe triumfit opozitar si duke minimizuar alkiminë e votës, kompensuar për abuzimin paraelektoral dhe garantuar më shumë se thjesht 70+1 vota në kuvend.
Puseta e tranzicionit dhe luksi i opozitës qibare
Votën nuk e ruan dot e vetme asnjë parti opozitare dhe ndërkohë që mazhoranca ka kohë që e ka sinkronizuar aksionin politik me qitje të largët në abuzimin me votën, debati opozitar ende mbetet tek e ‘lagu s’e lagu’. Kurrkush nuk është qelibar në kampin opozitar dhe të gjithë kanë dalë nga ‘puseta’ e tranzicionit. Ndërsa PS bëhet tabelë qitjeje për dritë-hijet e saj me pronën, korrupsionin, ndryshimet kushtetuese, ligjin zgjedhor, obsesionin me ‘kostumin’ e ngushtë të kryebashkiakut për një lider të destinuar për lart, konsistencën në hapjen e kutive, flirtimet etj, AK dhe FRD kanë ‘skeletet’ e tyre në ‘dollapin’ e tranzicionit që me riciklimin, sjelljen dhe konsolidimin në pushtet të protagonistëve politik të viteve të mbrapshta 1996-1997 etj. Nëse një parti opozitare gjykon se duhet të reformojë të djathtën pa demokraci normale, ajo mbetet iluzion. Reformimi i së djathtës e kishte shansin të bëhej edhe pas 1997 (brenda ose jashtë PD siç fraksionet tentuan më pas), sikurse e djathta mund të reformohet edhe duke qenë në pushtet më 2013 dhe dalë prej tij sapo të krijohen kushtet për votë të lirë.
Bashkimi opozitar nuk sjell të majtën në pushtet por krijon kushtet për garë normale ideologjike më pas. Me kohën si ujët e pakët, opozita nuk e ka luksin e kthimit të kokës pas ndërkohë që ka shansin që përmes aksionit të shumëpritshëm të opozitës së bashkuar, të shprehë si pendesën për ‘mëkatet’ e kaluara ashtu dhe reflektimin për të ardhmen.
Test për dinjitetin dhe autoritetin perëndimor
Unifikimi opozitar është kusht i domosdoshëm por jo i mjaftueshëm për fitore ndaj një mazhorance me 9 ‘shpirtra’. Unik mbetet qëndrimi perëndimor, në radhë të parë ai amerikan. Jo vetëm me kërcënime ‘post-event’ për ndërprerjen e integrimit europian që diskriminon thjesht qytetarin e thjeshtë por me rol aktiv në procesin para dhe post elektoral dhe distancimin prej qeverive të dala nga zgjedhje të trukuara duke futjen në listën e zezë të protagonistëve politik të abuzimit me votën e lirë.
Sesa test për politikën shqiptare dhe për opozitën që ka bërë sa ka mundur deri në martirizim, vota në prag është test për BE dhe SHBA për të vënë pikat mbi ‘i’, duke respektuar kësisoj vetveten dhe qytetërimin e tyre dhe dhënë fund njëherë e mirë nëpërkëmbjes prej demokracisë prodhim ‘pirat’ Made in Albania që cenon jo vetëm interesat e qytetarit shqiptar por dhe ‘copyright’ (të drejtën e autorit) të vetë demokracisë perëndimore.
Besëlidhje për zgjim demokratik
Rotacionin tashmë e pret dhe perëndimi por ky i fundit në balancën demokraci-gjeopolitikë, flet dhe vepron në sinkron me emancipimin demokratik në vend. Një elektorat që ngre zërin dhe prihet nga një opozitë e bashkuar në një protestë paqësore dhe dinjitoze non-stop prodemokraci, nuk do të kalonte pa u vënë re dhe do të ishte sinjal i mirëpritur nga perëndimi për të ngritur ‘gardhin’ aty ku duhet dhe quajtur gjërat me emrin e tyre.
‘Dominoja’ është në dorën e opozitës. Me ‘avionin’ e demokracisë në pikiatë dhe parashutën e vetme tek mazhoranca, është absurd sherri për ndenjësen pranë dritares. Dikush duhet të iniciojë tryezën opozitare – parti e vogël, e re, e qendrës, ish-presidentët … dhe lidershipi partiak duhet të zërë vend pa paragjykim në të duke dëshmuar se është në krye të ‘fikut’ të partisë për hir të demokracisë. Me historinë që do i ndjekë paskëtaj, nëse karrigia mbetet bosh apo jo.
Te nderuar redaktor te gazetes TEMA.
I nderuar zoti Mero Baze.
Ne nje grup demokratesh, qe sjemi perfaqesues te asnje lloj partije dhe organizate, kemi prej disa ditesh qe i bejme thirrje popullit te fillojme PRANVEREN SHQIPTARE, me thirrjen: TA ZHDUKIM QELBESIREN.
Protesta jone eshte per te rrezuar komunistin e fundit ne pushtet, qe ka risjelle diktaturen ne Shqiperi.
Pushteti u tremb dhe coi ne kembe organizatat e dikurshme te rinise se diktatures, ku me emrat e rreme MJAFT dhe me intelektuale te pushtetit, bene protesten e rradhes, per ti dhene oksigjen qeverise se Sali Berishes.
Ne nuk do te dorezohemi, por do ti bejme thirrje popullit shqiptar, qe te zgjohet nga gjumi letargjik, ku e ka vene pushteti diktatorial, memendesine se nuk kemi cfare te bejme, jemi te mbaruar, prandaj te presim zgjedhje qe dihet qe do te vidhen, ose ne te kundert, do te risjellin nje kaos te tipit 97, se ne jemi te ndergjegjshem se diktatoret nuk e leshojne pushtetin e tyre pa gjak dhe ne jemi gati te perballemi me kete pushtet.
Sot kemi hedhur ne faqet e kesaj gazete te nderuar, arsyet e deshtimit dhe si duhet te veprojne populli qe kerkon ndryshimin.
Per kete ju themi, mos na censuroni, botojini deklaratat tona, se ato jane deklarata, qe do sjellin ndryshimin per te gjithe ne.
Ju falenderojme qe hapni faqen tuaj te gazetes, per qellimet e nje populli qe sot do te degjoje thirrjen:
TA ZHDUKIM QELBESIREN.
PRANVERA SHQIPTARE, i ben thirrje popullit, cohuni mos rrini, zgjohuni dhe merrni ne dore fatet tuaja, se ska diktator qe tju munde, QELBESIRA do te shkoje ne FERR.