Benitez nuk e mbajnë nervat

28 Shkurt 2013, 14:44Sport TEMA

Çelsi është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës FA duke mundur 2-0 Midësllbrou, por kontestimet e radhës së tifozëve londinezë ndaj Rafael Benitez kanë bërë që ky i fundit të mos mbajë më nervat dhe të shpërthejë në kritika kundër tyre dhe drejtuesve të skuadrës që nuk e kanë mbrojtur gjatë kësaj periudhe.

Një gjuajtje e Ramires, e devijuar në rrjetë nga Torres, si dhe një gol i Moses, i dhanë suksesin Çelsit duke siguruar përballjen çerekfinale ndaj Mançester Junajtid, por tashmë nuk dihet nëse në atë ndeshje do të jetë Benitez në stolin e skuadrës apo ndonjë trajner tjetër, pasi shpërthimi i trajnerit ka qenë me të vërtetë mbresëlënës.

“Unë jam profesionist dhe po bëj punën time. Ajo që dua të bëj është të fitoj çdo ndeshje për Çelsin. Në fund të sezonit unë do të largohem ndaj nuk kanë pse të shqetësohen për mua”, ishte kritika e Benitez ndaj tifozëve. “Ajo që duhet të bëjnë është të mbështesin skuadrën dhe lojtarët. Këtu nuk ka të bëjë me faktin nëse unë po veproj drejt apo po gaboj. Ne duhet të çojmë këtë skuadër në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Jam i zhgënjyer me këta tifozë dhe mendoj se kështu nuk po ndihmojnë ekipin”.

“Unë jam një trajner me eksperiencë dhe do të bëj më të mirën deri në ditën e fundit. Klubi gaboi duke më dhënë titullin “trajner i përkohshëm”. Ky është një gabim i jashtëzakonshëm. Unë jam trajneri dhe do të drejtoj skuadrën deri në fund, çdo minutë të kësaj kohe. Tani tifozët duhet të mbështesin skuadrën. Nëse e bëjnë një gjë të tillë, do të sigurojmë atë që duam të arrijmë, Ligën e Kampioneve. Nëse jo, do të mbetemi në Europa League”, ishte kërcënimi i Benitez si dhe akuza që ai u bëri drejtuesve të klubit londinez.

Tani pritet reagimi i Roman Abramoviç, i cili nuk ka kursyer asnjëherë trajnerët të cilët kanë kritikuar drejtimin e tij apo personave të punësuar prej tij në klub. Ndaj ky shpërthim i Benitez, pavarësisht deklaratës së largimit në fund të sezonit, mund të afrojë shumë shpejt lamtumirën e tij nga Çelsi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje