Sër Aleks Ferguson ka pranuar se pret të marrë një pozicion drejtues në momentin kur do të vendosë të largohet nga pankina e Mançester Junajtid për t’i dhënë fund karrierës si trajner. 71 vjeçari ka konfirmuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit edhe kur të dalë në pension, ndonëse nuk ka bërë të qartë se kur do të ndodhë një gjë e tillë.
“Nuk shpëtoni lehtë nga unë. Me shumë mundësi do të marr një rol drejtuesi në këtë klub. Askush nuk e di datën e pensionit tim dhe as unë personalisht. Nuk do të jetë një doktor që do të thotë se kur mund të dal unë në pension!”, ishte batuta e Ferguson.
Përsa i përket temës së emrit që mund ta zëvendësojë atë në të ardhmen, Ferguson bëri të qartë se kushdo që të merrte artë detyrë, do ta kishte të lehtë për mënyrën se si ishte organizuar klubi.
“Mendoj se do të më pyesin për emrin e zëvendësuesit tim, por besoj se kjo është një çështje që duhet ta zgjidhë klubi, jo unë. Me strukturën që ka tani ky klub, nuk do të jetë një punë e vështirë për këdo që merr drejtimin”, deklaroi Ferguson, sipas të cilit, pjesë e stafit teknik të skuadrës në të ardhmen do të bëhen lojtarë që ai ka aktivizuar gjatë këtyre viteve si Rajan Gigs, Pol Skols, Darren Fletçer dhe Niki Bat./lajmeshqip