Drejtori sportiv i Bajern Mynih, Matias Samer, mendon se ky klub ka një bërthamë lojtarësh të klasit botëror, që i mundësojnë suksese të njëpasnjëshme, ashtu si fitorja 1-0 ndaj Borusia Dortmund në mesjavë që i lejoi të kualifikoheshin në gjysmëfinalet e Kupës së Gjermanisë.
Bavarezët janë në garë për tre trofe në këtë edicion, pasi përveç dy aktiviteteve kombëtare, tani shihen si pretendonte edhe për të fituar Ligën e Kampioneve, ndërsa Samer mendon se kjo është meritë e personaliteteve që ka kjo skuadër në pozicionet më delikate.
“Kur flasim për liderë në fushë, unë shoh Bastian Shvajnshtajger, Dante, Filip Lahm dhe Manuel Nojer si bërthamën e skuadrës tonë. Ata janë lojtarë të klasit botëror, nuk ka diskutim për këtë”, tha Samer për “Spox”.
“Shvajnshtajger ishte një lojtar i lëvizshëm, i shkëlqyer taktikisht dhe që në ndeshjen kundër Borusias luajti me një shpirt gare që e ka treguar më përpara, por që i kishte munguar kohët e fundit. E njëjta gjë mund të thuhet për Nojer dhe Dante, ndërsa Lahm ka qenë një lojtar i klasit botëror prej shumë vitesh. Është e rëndësishme që në ndeshje të tilla, këto lojtarë të tregojnë vlerat e tyre”, shpjegoi Samer.
Sipas tij, nuk duhet menduar që tani nëse mund të fitohet çdo trofe në këtë sezon, ndërsa ka paralajmëruar të gjithë lojtarët se ekipi nuk kishte të pazëvendësueshëm, ashtu si nuk kishte titullarë apo lojtarë stoli.
“Nuk do të flas nëse fitojmë tre trofe apo jo në këtë sezon. E kam thënë gjatë pushimit të kampionatit se në fund të sezonit merr gjithmonë atë që meriton. Tani duhet të punojmë për t’i bërë realitet këto fjalë dhe jo vetëm të merremi me ëndrra. Pakënaqësi mes zëvendësuesve? Një klub i madh duhet të ketë 15-16 lojtarë që luajnë rregullisht. Nuk duhet të flasim më për vetëm 10 lojtarë, pasi në skuadër kemi edhe 5-6 të tjerë të të njëjtit nivel. E rëndësishme është skuadra dhe jo individi”, deklaroi ai.