Drejtuesit e Milanit kanë filluar të ideojnë skuadrën për sezonin e ardhshëm, duke bazuar gjithçka të ndryshimet në mbrojtje dhe mesfushë, pasi porta dhe sulmi janë mëse të rregulluara me lojtarët aktualë.
Reparti që do të përjetojë më shumë “lamtumira” është mesfusha, ku i pari që do të largohet është holandezi Urbi Emanuelson, që nuk arrin të bindë Alegrin dhe për këtë arsye u dha në huazim te Fullhem. Pas tij duket se do të vijë radha edhe e kapitenit Ambrozini, i cili nuk ka më hapësira në formacion dhe mund të zgjedhë të shkojë në SHBA, pasi ka oferta nga skuadrat e kampionatit të këtij vendi. Emri i tretë që mund të largohet në fund të këtij sezoni është Antonio Noçerino, i cili nuk po shfaqet më në formën e sezonit të kaluar dhe polemikat publike me trajnerin Alegri nuk e kanë ndihmuar të rifitojë vendin e humbur në formacion.
Të konfirmuar do të jenë Muntari, Montolivo, Flamini e De Jong, ndërsa synohet me ngulm që të afrohet një regjisor i mirëfilltë, gjithmonë i një moshe të re, që përbën edhe strategjinë që po ndjek klubi. Nën vëzhgimin e kuqezinjve janë Zhorzhinjo (21 vjeç) i Veronës, Baseli (20) i Çitadela, Strotman (23) i PSV Eindhoven dhe De Jong (24) i Ajaks.
Por ëndrra e Galianit mbetet 20 vjeçari italian i PSZH, Marko Verrati, i cili ka treguar se është ndër futbollistët më premtues në rolin e mesfushorit organizator, ndërsa të PSZH nuk është se do të gjejë më shumë hapësirë në sezonet e ardhshme, pasi klubi parisien dëshiron të afrojë emra të tjerë të njohur dhe nuk pret për shpërthimin e talenteve të rinj.