Del Boske: Junajtid mundet vetëm me sulm

4 Mars 2013, 18:28Sport TEMA

Trajneri i Spanjës, Vicente Del Boske, ka treguar se si ka arritur të mundë Mançester Junajtid në fushën e këtyre të fundit kur drejtonte Real Madrid. Madrilenët duhet të fitojnë në “Old Traford” edhe nesër në mënyrë që të mbajnë gjallë shanset e tyre për Ligën e Kampioneve numër 10 në historinë e klubit, ndërsa të fundit e kanë fituar pikërisht kur ekipi drejtohej nga Del Boske.

Situatat janë shumë të ngjashme, pasi edhe në vitin 2000, Reali ishte jashtë luftës për titull në Spanjë dhe i duhej një fitore në “Old Traford” për të kaluar turin, gjë që arritën ta bënin pas një ndeshje spektakolare të përfunduar me rezultatin 3-2 për spanjollët. Sipas Del Boske, edhe Murinjo duhet të adaptojë taktikën e tij në atë ndeshje, vetëm me sulm total.

“Për herë të parë, në sezonin 1999-2000, ishte një ndeshje që nuk do ta harroj kurrë. Ishte viti ynë i parë, kishim barazuar pa gola në shtëpi dhe sezoni ynë varej nga sfida e kthimit”, tregon Del Boske.

“Ne ndryshuam sistemin tonë për të luajtur me 3 qendërmbrojtës. Ishte diçka e mirë që fituam, në të kundërt do të na kishin vrarë. Ne po ecnim shumë keq në kampionat dhe në ato momente nuk ishim në renditje as në zonën e Kupave të Evropës. Isha shumë i frikësuar nga sulmuesit e Junajtid, Kol dhe Jork. Ata dinin si të hapnin fushën e lojës me Bekam dhe Gigs ndaj u mundova të forcoja qendrën e mbrojtjes me Kampo, Helgera dhe Karanka”, shpjegoi ai, duke treguar se e gjithë pjesa tjetër e skuadrës në atë ndeshje kishte qenë me detyra sulmuese./lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje