Fabio Kapelo është i bindur se Antonio Kasano nuk do të ndryshojë kurrë, për shkak të natyrës që ka. Trajneri italian, që e njeh mjaft mirë dhe e ka drejtuar te Roma e te Real Madrid, ka shpjeguar se pse fantazisti ka pasur shumë probleme në karrierën e tij pikërisht për shkak të kësaj sjellje.
“Shpresoja që të ishte pjekur pas lindjes së fëmijës së tij, por vazhdon gjithmonë e njëjta histori. Ai është një djalë i mirë, shumë bujar, por nuk njeh kufij dhe kur shpërthen, nuk di të ndalet”, shpjegoi Kapelo, duke komentuar polemikën e fundit të sulmuesit me trajnerin e Interit, Andrea Stramaçioni.
“Nuk njeh kufij në respekt të edukatës së personave. Kjo ka ndikuar në karrierën e tij, ai e sheh futbollin vetëm në mënyrën e vet dhe nuk arrin të ketë një shkëmbim opinionesh me shokët e skuadrës, të cilët me kalimin e kohës humbin çdo lloj vlerësimi ndaj tij”, ishte kritika e ashpër e Kapelos të cilin Kasano shpesh e ka etiketuar si një nga personat e paktë me të cilët ka respektuar rregullat.
Ndërkohë, për të shuar disi polemikën në klubin zikaltër, është dashur edhe ndërhyrja e presidentit Morati, i cili ka treguar se vazhdojnë të vlerësojë jashtëzakonisht shumë sulmuesin.
“Nuk isha prezent por të gjithë po mundohen ta normalizojnë debatin. Ai është një kampion dhe artistët janë gjithmonë të veçantë në llojin e tyre. Gjëja më e keqe është që ngjarje të tilla ndodhin, jo se dalin nga dhomat e zhveshjeve pasi kur punon me 40 persona, gjërat edhe mund të dalin nga klubi”, ishte komenti i Moratit rreth asaj që ndodhi tre ditë më parë.