Kryetarit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, duket se i ka humbur durimi duke i ruajtur komoditetin PDK-së dhe kryeministrit Hashim Thaçi në qeverisje. Si partner i bashkëqeverisjes, ai ka kërkuar nga shefi i PDK-së që të rishikohet koalicioni nga fillimi, sepse nuk dëshiron të qëndrojë më në qeveri si “gomë rezervë”. Nëse Thaçi, si kryetar i PDK-së, nuk është në gjendje ta respektojë parimin e AKR-së për zhvillim ekonomik, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli kërcënon me largim nga qeverisja.
Nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit Thaçi, një kopje të cilën e ka siguruar “Zëri” nga PDK, Pacolli kërkon Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Në fillim të letrës drejtuar kryeministrit, Pacolli thotë se si partner i koalicionit ka dhënë kontributin në mënyrë profesionale dhe të sinqertë me qëllim që t’u kontribuojë qytetarëve të Kosovës. Ai thotë se ka hyrë në qeveri me shumë vullnet për ta ndryshuar mentalitetin qeverisës. “Fillimi ishte inkurajues dhe shpresëdhënës. Gjatë rrugës tonë të bashkëqeverisjes kanë dalë probleme dhe pengesa në disa çështje”, konsideron Pacolli…/ZERI