Nënkryetari i Kuvendit, Enis Kervan, vitin e kaluar ka qëndruar në veturën zyrtare më gjatë se gjithë zyrtarët e tjerë të Kuvendit të Kosovës. Në një raport të shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2012, të cilit i referohet gazeta “Tribuna”, rezulton se ai i ka bërë 45.125 kilometra rrugë, duke shpenzuar afër gjashtë mijë litra karburante.
Në një përllogaritje të thjeshtë, del se Kervan për çdo ditë të vitit ka bërë nga 125 kilometra. E nëse nga përllogaritja hiqen ditët e fundjavës, atëherë del se ai ka udhëtuar nga 170 km në ditë.
Pas tij vjen nënkryetari tjetër, që po ashtu vjen nga komunitetet pakicë, Petar Miletiç. Deputeti serb ka bërë 39.388 km dhe ka shpenzuar 4.219 litra naftë.
Miletiç ka bërë 10 mijë kilometra më shumë se vetë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili renditet i treti në listë për nga shpenzimet me karburant dhe kilometrat e bëra.
Kreu i Kuvendit, i cili i ka në dispozicion dy vetura, ka shpenzuar 4.312 litra karburant duke bërë 29.349 kilometra. Vetëm treshja Kervan-Miletiç-Krasniqi kanë shpenzuar sa një e treta e të gjithë atyre që kanë të drejtë të shfrytëzojnë veturat e Kuvendit./KD
Thjesht. Lexoni kilometrazhin e kaminave qe kane ne dispozicion dhe shumezojeni me normat maksimale te sgpenzimit te karburantit per 100 km. dhe diferencen qe do te rezultoje, ta paguajne shoferet e makinave qe kane shpenzuar karburantin.
Te jetosh ne kurriz te taksapaguesve…