Trupi i një 18- vjeçari, të ekzekutuar në fshatin Blinisht të Lezhës gjashtë muaj më parë, është zhvarrosur ditën e djeshme për hetime të mëtejshme.
Sipas Panoramës, Daniel Bardhoci u qëllua nga një makinë në lëvizje. Bashkë me të mbeti i plagosur edhe një adoleshent tjetër.
Për ngjarjen e rëndë u arrestuan katër të rinj, por më vonë u arrestua edhe një tetraplegjik, Lek Sollaku.
Familjarët e këtij të fundit kanë kërkuar që të bëhet zhvarrimi, për të ribërë një ekspertizë, që do provojë se i afërmi i tyre nuk ka qenë në gjendje të kryejë krimin.
Kryekomunari i Kallmetit, Petrit Marku, thotë se pati vështirësi për të bindur familjarët që të zhvarrosnin fëmijën e tyre.
“Danieli ishte i sjellshëm, por gjithçka ndodh mes adoleshentësh,” tha ai.
Tani mjekët dhe prokuroria do bëjnë një riekzaminim të trupit dhe plagëve.