Aleks Ferguson ka konfirmuar se do t’i ofrojë një kontratë të re sulmuesit anglez Uejn Runit, para përfundimit të marrëveshjes ekzistuese që mbyllet në vitin 2015 dhe nga e cila lojtari përfiton 230 mijë paund në javë.
Ferguson ka lënë të kuptohet se ekziston një ide për këtë rinovim, ndonëse nuk ka caktuar një afat për realizimin e bisedimeve mes palëve.
“Nuk ka asnjë problem me kontratën e Runit. Kur të vijë koha, do të ulemi të bëjmë negociata për kushtet e reja”, tha trajneri skocez për 27 vjeçarin. “Nuk duam që lojtarët e mirë të largohen nga klubi ynë”, tha ai për futbollistin që luan prej 9 sezonesh me fanellën e Mançester Junajtid.
Pavarësisht këtyre fjalëve të Ferguson, mediat angleze janë të sigurta se drejtuesit e klubit i kanë kërkuar trajnerit të bindë lojtarin të pranojë një ulje të ndjeshme të rrogës së tij, sidomos për faktin se ai nuk është më zgjedhje e parë në formacionin e “djajve të kuq”. Por Ferguson për momentin nuk shqetësohet nga këto fjalë.
“Ai është Pol Gaskonj apo Bobi Çarlton i këtij brezi. Ai është lojtari më i mirë anglez. Folëm të enjten dhe i thashë që në këtë periudhë do të duhej të përballej me disa budallallëqe për shkak të asaj që ka ndodhur. Por ne e dimë që futbolli është i tillë. Runi tani është më i pjekur. Ka pasur shumë probleme fizike në këtë sezon e përsëri arriti të shënonte 14 gola. Jam i bindur se do ta mbyllë sezonin me të paktën 20”, deklaroi Ferguson.