Hënes: Ja si u ndërtua Bajerni i madh

11 Mars 2013, 10:33Sport TEMA

Uli Hënes, presidenti i Bajern Mynih, ka treguar në një intervistë për “The Sun” se cili është modeli drejtues i bavarezëve, që ka kontribuar në kthimin e klubit gjerman në një prej më të mëdhenjve në futbollin evropian. Ndonëse Bajerni drejtohet nga Hënes, përkrah drejtorit ekzekutiv Karl Hainz Rumenige dhe drejtorit sportiv Matias Samer, 80% e klubit i përket anëtarëve të tij.

“Unë thjesht dua që të kemi sukses sa më të madh sportiv të bazuar mbi themele të shëndosha ekonomike. Nuk është aspak argëtuese të fitosh kampionatin dhe Ligën e Kampioneve duke humbur 50-60 milion paund”, ka shpjeguar Hënes.

“Për çdo ndeshje në stadiumin tonë, janë 12 mijë bileta të lira që nxirren në shitje për njerëzit që nuk përballojnë ato të zakonshmet, pasi futbolli duhet të jetë i përballueshëm për të gjithë. Kur unë fillova punën si drejtues në klub rreth 30 vite më parë, 85% e të ardhurave tona vitin nga biletat. Në ato ditë bëhej fjalë për rreth 5 milion paund. Tani fitojmë mbi 370 milion euro në vit dhe vetëm 18% vjen nga biletat”.

“Jemi përqendruar te marketingu dhe sponsorizimet. Rreth 95 milion euro vijnë nga sponsorët. Ne jemi përqendruar në këtë drejtim pasi nuk duam që njerëzit të vijnë në stadium dhe të thonë “Ne i urrejmë këto milionerët”. Kur paguan vetëm 15 euro për të hyrë në stadium, nuk mund ta thuash një gjë të tillë, pasi nuk e financon dot klubin me 15 eurot që shpenzon”, vijon tregimin Hënes

Ai ka shpjeguar më pas se si suksesi financiar është përshtatur me atë sportiv në fushën e lojës.

“Të tjerët gjykojnë atë që bëjmë ne, por për momentin kemi vazhdimësi. Në bordin drejtues ka njerëz që kuptojnë mirë lojën e futbollit, jam unë, është Ruimenige, është Samer. Bashkë me trajnerin zhvillojmë diskutime shumë të gjata para se të marrim çdo vendim. Të ndihmon shumë fakti nëse ke luajtur futboll vetë, edhe pse nuk është e lehtë, idealja është të gjesh persona në rol drejtuesi që kanë luajtur vetë në të kaluarën, pasi në këtë mënyrë ata u flasin dhe stërvitin lojtarët në të njëjtën kohë”, shpjegoi ai duke hedhur poshtë modelet e shumë klubeve angleze, si Çelsi apo Mançester Siti, të cilat bazojnë suksesin në investimet e pronarëve multimilionerë.

“Futbollin e luan edhe me zemër. Nuk kam asnjë problem me njerëzit nga Arabia apo Rusia, por ata duhet të kenë një lidhje me klubin, duhet të jetë në zemrën e tyre. Te Bajerni nuk shohim suksesin afat-shkurtër. Kam fituar rreth 20 tituj, por për të fituar të 21-tin nuk do ta shes klubin. Por nëse vjen dikush që nuk ka fituar asgjë, ai dëshiron të fitojë shumë shpejt dhe nën një trysni të tillë, merr vendime shumë të vështira”.

“Unë nuk e krahasoj veten me Mançester Junajtid, që është një klub i madh dhe i famshëm të cilin e admiroj në mënyrë të jashtëzakonshme. Por z. Glejzër (pronari amerikan i klubit anglez) nuk e dinte se ku ishte Mançester Junajtid para 20 vitesh. Ai nuk e bën një gjë të tillë sepse dashuron Mançesterin, ai e bën për të fituar para”, tha Hënës që në fund zbuloi edhe arsyen se pse bavarezët kishin ndihmuar ekonomikisht rivalët e tyre më të mëdhenj të Borusia Dortmund, duke u dhënë atyre para për të paguar rrogat kur klubi ishte në prag të falimentimit.

“Ata kishin probleme për të paguar rrogat dhe unë u çudita shumë kur ish-menaxheri i përgjithshëm, Mikael Majer, erdhi në Myinh. Ai tha: “Uli, nuk kam rrugë tjetër përveç se të të kërkoj të na ndihmosh me 2 milion euro. Nuk kemi asnjë siguri apo garanci për ju, keni vetëm premtimin tim se do t’jua kthejmë paratë”. Dortmundi është një klub me traditë. Pa atë, Bundesliga është më e varfër dhe e dinim që herët a vonë do të rimerrnim paratë tona”, shpjegoi Hënes arsyen se pse ndihmoi Borusian të dilte nga kriza.

6 komente në “Hënes: Ja si u ndërtua Bajerni i madh”

  1. Horri i Bulevardit says:

    Nje interviste serioze dhe shume e kuptueshme, Kam fituar 20 trofe dhe per te fituar trofeun e 21, nuk dua te shes klubin, ja ku eshte shpirti gjerman, qe nuk eshte egoist dhe nuk i ka zene syte suksesi.
    Dha nje mesim se futbollin nuk e bejne miljarderet qe skuptojne futbollin, por e bejne specialistet.
    Investim afatgjate dhe qe jep gjithmone rezultat, ky eshte Bajern München.

  2. Die Kaiser says:

    Kena 12 vjet qe jena tu prit trofeun e Champions.

    Ka ardh dita jon. Deutschland uber alles.

    Duhen respektuar per parimet qe ndjekin, solidaritetin qe tregojne dhe vullnetin qe shfaqin.

    Gjermania eshte komb i madh dhe ben gjithmone me te miren.

  3. fiku says:

    @Horri I Bulevardit
    Bravo horro Epaske dhe ti i gjo te mire. Te pakten kuptoke nga futbolli se per tjerat ja vesh kot mor plak.

    1. Horri i Bulevardit says:

      Cerro prej fiku, mar dhe per te tjerat vesh, po sbesove pyet Lolen kur o ne pyetje gopi, Lola gjithmone me ka dhene te drejt.

  4. Para privatizimit says:

    Leksion per futbollin shqiptar !

  5. ajax says:

    Horri i Bulevardit,a i njeh mire gjermanet? Mbase egoista nuk jane por jane njerrez qe flasin nen tavoline ose sic themi ne shqiptaret flasin prapa kraheve. Si shpjegohet qe populli gjermane ka shume antipati per austriaket,zviceranet apo hollandezet,dy te paret jane gjermanefoles,ose i njejti popull.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje