Masimo Moratit i ka sosur durimi dhe ka vendosur të bëjë një ultimatum të qartë për trajnerin e skuadrës së Interit, Andrea Stramaçioni dhe drejtorin sportiv, Marko Branka, të cilët shihen nga të gjithë si përgjegjësit kryesorë të problemeve të ekipit zikaltër në këtë sezon.
“Ajo me Bolonjën ishte një lloj kolapsi. Ndoshta lojtarët ishin shumë të frikësuar në fushën e lojës. Ka shumë zhgënjim dhe mërzi, por pastaj duhet shumë qetësi në vlerësimin e gjërave dhe në kërkimin për të rindërtuar moralin dhe gjetur formën fizike të përshtatshme”.
“A rrezikojnë Stramaçioni e Branka? Përsa më përket mua, jemi në rregull nëse gjërat vazhdojnë kështu, por me rezultate të ndryshme”, ishte paralajmërimi i Moratit duke bërë të qartë se të dy drejtuesit duhet të kthejnë sa më parë zikaltërit në rrugën e fitoreve. Stramaçioni dhe Branka janë kontestuar ashpër nga tifozeria zikaltër gjatë humbjes së fundit kundër Bolonjës, pasi tifozët i cilësojnë përgjegjës për problemet e këtij sezoni dhe sidomos për fushatën e dështuar të merkatos, me largimin e lojtarëve që mund të bënin diferencën, apo me blerjen e futbollistëve që sipas tyre nuk janë në lartësinë e duhur.