Ish-mesfushori i Milanit dhe Italisë, Xhenaro Gatuzo, ka deklaruar se në fund të këtij sezoni do të largohet nga futbolli i luajtur në mënyrë që të përqendrohet tërësisht te karriera që shpreson të vazhdojë si trajner. 35 vjeçari aktualisht është pjesë e skuadrës së Sion në kampionatin zviceran, por ka bërë të qartë se në qershor do të luajë ndeshjen e tij të fundit si profesionist në këtë skuadër ku kryen njëkohësisht edhe detyrën e trajnerit.
“Mendoj se do të luaj ndonjë ndeshje tjetër, por janë të fundit për mua. Në qershor do të var këpucët në gozhdë dhe do t’i përkushtohem tërësisht karrierës time të re”, deklaroi Gatuzo për “Tuttosport”.
“Mund të them se ndjej që kam ambicie dhe vendosmërinë për t’ia dalë mbanë si trajner. Më kanë krahasuar me Konten dhe ky krahasim është vetëm një nder që më bëhet. Do të dëshiroja shumë të kisha të njëjtin sukses që ka ai si trajner. Por ka shumë ngjashmëri mes nesh, pasi të dy kemi pasur si trajnerë Karlo Ançelotin dhe Marçelo Lipin. Ata janë mësuesit e mi në këtë karrierë të re”, zbuloi Gatuzo.