Trajneri i Kombëtares, Xhiani De Biazi, i ka bërë elozhe ekipit për fitoren e thellë 4-1 ndaj Lituanisë. De Biazi ka thënë se i druhej një euforie të mundshme, por ekipi ka reaguar shumë mirë. Italiani ka vlerësuar golin e alban Mehës, duke thënë se ishte nga një planet tjetër.
“Goli i Mehës ishte sikur të vinte nga një planet tjetër, sepse ishte shumë larg. Pashë sinjale pozitive dhe shpresoj që skuadra të mund të ruajë këtë gjendje të mirë shpirtërore e fizike. Ishte një ndeshje e mire, paçka se u luajt në një fushë në gjëndje të rënduar.
Ne u futëm në fushë për të fituar, por isha realisht i shqetësuar për këtë ndeshje, pasi mendova se euforia do na dëmtonte. Prandaj, jam shumë i lumtur që lojtarët reaguan mirë”, tha De Biazi.
Ai ka vlerësuar lojën e debutuesit Valdet Rama dhe Migjen Bashës, ndërsa pohoi se tashmë është i përqendruar tek ndeshja me Norvegjinë pas 75 ditësh. De Biazi pohoi se ka krijuar një ide se kush do të jenë lojtarët që do të zëvendësojnë të munguarit në këtë ndeshje, Lila, Cana dhe Roshi.
“Është shpejt për të thënë se si do t’i kompensojmë mungesat dhe si do të luajmë në kthim ndaj Norvegjisë. Për të gjitha këto do të mendojmë në këto 75 ditë. Gjëja kryesore që shpresoj është që lojtarët në jenë në kushtet e duhura dhe të mos kenë problem dëmtimesh. Përballja me Norvegjinë është shumë e rëndësishme për ne në këto kualifikuese, ndaj duhet të shkojmë në kushtet e duhura fizike e të shpresojmë të marrim rezultatin e duhur”, tha trajneri italian./b.l
e kush nuk entuziasmohet nga kjo fitore e keto gola , bravo djema!
ju morsha te ligat
do kontribuoj me nje shume simbolike neqoftese shkojme ne brazil